E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse dështoi antikorrupsioni

Blendi Kajsiu 

Së pari, duhet të shkëputemi nga klishetë që lëshohen rëndom brenda dhe jashtë vendit se për të luftuar korrupsionin duhet mbi të gjitha vullneti politik. Të thuash se  antikorrupsioni në Shqipëri çaloi si pasojë e mungesës së vullnetit politik, siç ndodh rëndom në raportet e BE-së, do të thotë të mos thuash asgjë. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se kur PD-ja erdhi në pushtet në 2005 i mungonte vullneti politik për të luftuar korrupsionin. Por vullneti nuk mjafton. Këtë e dëshmon dështimi identik edhe i qeverive të mëparshme në fushatat antikorrupsion.  Këtë e dëshmojnë sa e sa raste në Evropën Lindore ku po të njëjtat forca politike që kanë marrë pushtetin me flamurin antikorrupsion janë zhytur më pas në korrupsion. Madje, këtë e tregon edhe rasti i SHBA-ve, ku po e njëjta administratë Bush që erdhi në pushtet me premtimin se do të ‘pastronte’ Washingtonin është zhytur sot më shumë se kurrë në një sërë skandalesh korruptive. 
Prandaj dështimin e antikorrupsionit në Shqipëri duhet ta shohim pak më gjerë sesa thjesht dështimin e një individi, apo force politike. Sikurse kanë insistuar disa analistë tashmë duhet kuptuar sistemi politiko-ekonomik, që e bën të pamundur luftën antikorrupsion, pavarësisht vullnetit të një individi apo force politike. Në shumicën e rasteve ky sistem është portretizuar si një sistem mafioz ku politika, biznesi dhe media janë të gjitha të kapura në një rreth të mbyllur. Përveçse tejet negativ ky portretizim e shikon problemin e korrupsionit thjesht në nivelin e elitave të korruptuara, të cilat i pinë gjakun popullit.  Ndonëse edhe kjo ndodh herë pas here, një analizë që të gjithë problemin e shikon tek ‘mafia politiko-mediatiko-ekonomike’ anashkalon faktin që korrupsioni, në formën e ryshfetit, është tejet i shtrirë në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm në nivel elitash. Prandaj në vend që ta shikojmë korrupsionin thjesht si një problem të elitës mafioze, duhet që ta shohim atë pak më gjerë si pjesë e vetë modelit politik dhe ekonomik të Shqipërisë sot.
Sot për sot qeverisja në Shqipëri është fokusuar tërësisht tek stabiliteti makroekonomik që e ka bërë kaq të lumtur FMN-në. I gjithë modeli ynë i zhvillimit bazohet tek utopia neoliberale e Bankës Botërore dhe FMN-së se, sapo të zvogëlohet dhe forcohet shteti, tregu do fuqizohet dhe ne do shpëtojmë nga korrupsioni dhe nga varfëria. Prandaj sot për sot qeverisja në Shqipëri nuk ka pothuajse asnjë rol në politikat zhvillimore, dhe aq më pak në ato rishpërndarëse dhe integruese. Politikat rishpërndarëse janë të pamundura sepse zhvillimi i sektorit privat është ende shumë i brishtë, i deformuar dhe jo produktiv. Politikat integruese janë të pamundura sepse shteti është tërhequr, të paktën zyrtarisht, nga shoqëria. Modeli ynë i zhvillimit kufizohet tek forcimi i shtetit të vogël që pret një mrekulli nga tregu i madh.   Paradigma aktuale zhvillimore bazohet në idenë qesharake se biznesi shqiptar do të bëjë namin sapo t’i hiqet qafe shteti.  Edhe pse gjithë eksperienca e historive të suksesit, si Tigrat e Azisë, ka treguar se biznesi është zhvilluar me ndihmën e shtetit dhe jo nëpërmjet indiferencës së tij. Për pasojë roli i shtetit në Shqipëri është konsolidimi i indiferencës ‘pozitive’ si ndaj shtresave në nevojë, ashtu edhe ndaj kapitalit apo biznesit vendas, me përjashtim të ndonjë lidhje tejet të shkurtër. Në këto kushte pabarazia në Shqipëri është gjithnjë e në rritje si në aspektin social edhe në atë gjeografik. Një pjesë gjithnjë e më vogël e popullatës dhe territorit po pasurohet, ndërsa një pjesë gjithnjë e më e madhe e territorit dhe popullatës po varfërohet. 
Pikërisht këtu zë rrënjë korrupsioni. Korrupsioni në formën e ryshfetit luan një rol rishpërndarës të të ardhurave, kurse në formën e klientelizmit politik korrupsioni shërben për të integruar në shoqëri individë, apo grupe nga shtresa dhe zona të margjinalizuara. Nuk është rastësi që niveli më i lartë i korrupsionit apo i ryshfetit është në sektorë të tillë si doganat, tatimet apo policia rrugore. Nuk është aspak rastësi që edhe qarkullimi i personelit ka qenë më i lartë, pikërisht në këta sektorë. Nuk është rastësi as fakti që shpesh individët në këto kategori vijnë nga zona periferike apo shtresa të margjinalizuara. Sa herë ndërrohen partitë në pushtet ndërrohen edhe doganierët, tatimorët dhe policët rrugorë. Në administratë futet ‘gjak i ri’, futen ato shtresa sociale që janë shpesh të margjinalizuara, që vijnë nga zona të thella dhe që në mungesë të këtij rrotacioni do ishin gjithnjë e më të varfra dhe të paafta për të nxjerrë bukën e gojës në treg. Me fjalë të tjera korrupsioni në formën e fenomenit të ryshfetit është një mekanizëm informal i rishpërndarjes së të ardhurave dhe i integrimit social.
Si çdo mekanizëm informal edhe ky është një mekanizëm jo perfekt.  Shpesh si pasojë e korrupsionit disa individë akumulojnë pasuri të mëdha në kurriz të komunitetit. Megjithatë ne jemi fiksuar kaq shumë tek pasurimi i individëve apo grupeve të veçanta, saqë shpesh harrojmë të shohim sesa i përhapur është fenomeni i korrupsionit në çdo qelizë të shoqërisë sonë. Shpesh harrojmë gjithashtu se edhe korruptimi i politikanëve në raport me biznesin bëhet jo vetëm për interesat e ngushta personale, këto po e po, por edhe për të siguruar financim për grupimin politik.  Për më tepër kur fushatat politike janë gjithnjë e më të kushtueshme dhe vullnetarizmi politik pothuajse inekzistent.
Në mungesë të politikave zhvillimore, integruese apo rishpërndarëse, e vetmja gjë që partitë politike mund t,i ofrojnë elektoratit dhe qytetarëve kur vijnë në pushtet është vetë shteti. Për pasojë shteti është një plaçkë politike që ndahet dhe rishpërndahet për të përmbushur nevojat e elektoratit përkatës. Ky është edhe sistemi klientelist mbi të cilin bazohen partitë politike në Shqipëri. Në mungesë të një ideologjie mobilizuese ky sistem bëhet edhe më i domosdoshëm, pasi e vetmja mënyrë sesi partitë politike mund t’i mobilizojnë militantët është ose duke i paguar në fushatë, ose duke i premtuar punësim nesër në pushtet.  Dhe kur këta militantë punësohen nesër në shtet, ata do duan të ‘hanë’ sidomos pasi rroga e shtetit është tejet e vogël dhe nevojat e tyre për t’u integruar janë tejet të mëdha sepse shpesh ata vijnë nga zona apo shtresa të margjinalizuara. Partitë politike më shumë sesa një bashkim vullnetar rreth një ideje, janë sot një bashkim vullnetar rreth një përfitimi që është pushteti apo shteti. 
Prandaj në kushtet aktuale është e pamundur për një parti politike të luftojë realisht korrupsionin. Një parti që do të dënonte të gjithë anëtarët e saj të përfshirë në korrupsion, nepotizëm apo favorizim do mbetej pa kryetar, pa kryesi dhe ndoshta pa anëtarë. Ne mund ta urrejmë dhe dënojmë klientelizmin politik për korrupsionin që prodhon, por për momentin është i vetmi sistem që ruan kohezionin social. Fakti mbetet që partitë politike janë ndoshta kanalet e vetme, nëpërmjet të cilave shtresa që ndryshe do ishin harruar mund të përfitojnë status social dhe ekonomik. Sa më pak që ky rol luhet nga shteti i cili është në rrudhje e sipër, aq më shumë ai luhet nga partitë politike. Nuk është për t’u çuditur pse më shumë sesa shtet në Shqipëri ne ndërtojmë parti-shtet.
Në kushtet e zhvillimit dhe të shoqërisë shqiptare sot sistemi që rekomandohet nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore do rrezikonte rëndë kohezionin social dhe vetë stabilitetin shoqëror shqiptar. Sipas këtyre institucioneve, sot Shqipëria duhet të ndërtojë një administratë publike meritokratike dhe të pavarur politikisht, që administron një shtet të vogël dhe efecient, që nuk fut duart në një treg të madh. Një administratë publike meritokratike dhe jopolitike sot do të thotë një administratë shtetërore, që popullohet pak a shumë nga shtresat më të privilegjuara, duke lënë tërësisht jashtë shtresat në nevojë. Për më tepër kur shtresat e margjinalizuara mund të integrohen në shoqëri vetëm duke zaptuar një copë shtet. Ashtu sikurse një pjesë tjetër kanë zaptuar një copë tokë në kryeqytet. Për pasojë një shtet i pavarur dhe mbi palët sot do të prodhonte një pabarazi edhe më të madhe ekonomike dhe sociale mes qendrës dhe periferisë. Ndërsa një shtet i vogël, që nuk fut duart në një treg të madh, për momentin do të thotë që biznesi shqiptar nuk do të jetë kurrë i aftë të konkurrojë jashtë kufijve shqiptar dhe aq më pak me bizneset evropiane që mbështeten në mënyra komplekse nga shteti. Pra, edhe sikur të realizonim sot modelin që rekomandohet nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian do të kishim një Shqipëri edhe më të varfër edhe më të pabarabartë, dhe për pasojë akoma më të destabilizuar. Është pikërisht klientelizmi politik që e zbut polarizimin dhe ruan në mënyrë imperfekte kohezionin social, edhe nëpërmjet korrupsionit.    
Vetëm një zhvillim i vrullshëm ekonomik, që prek ndjeshëm shtresa të gjëra shoqërore do ta ulë rëndësinë e klientelizmit politik dhe për pasojë nivelin e korrupsionit në qendër dhe bazë. Vetëm një zhvillim i vrullshëm ekonomik që administrohet në mënyrë integruese dhe të balancuar, do të ulë varësinë nga korrupsioni si instrument rishpërndarje dhe mbijetese ekonomike dhe nga ana tjetër do të krijojë kapacitetet e duhura për një shtet efikas.  Por më parë duhet zhvillimi ekonomik që kënaq shqiptarët dhe jo thjesht FMN-në. Përndryshe era antikorrupsion do vazhdojë të prodhojë një sërë ligjesh dhe komplikimesh ligjore që në teori synojnë të kontrollojnë korrupsionin, porse në praktikë ose nuk zbatohen ose vështirësojnë proceset e tenderimit dhe të investimeve qeveritare. Falë antikorrupsionit ne sot jemi në situatën paradoksale të një vendi të varfër, ku qeveria nuk arrin të kryejë të gjitha investimet që ka planifikuar, pra nuk arrin të shpenzojë dot të gjitha paratë. Dhe ndërsa korrupsioni në thelb buron nga mungesa e zhvillimit, lufta antikorrupsion e vështirëson zhvillimin akoma më shumë duke prodhuar kështu akoma më shumë korrupsion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›