E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Në vitin 2009 LSI do të jete forcë kryesore qeverisëse

Lëvizja socialiste për Integrim do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme politike, si forca kryesore në qeverisjen e vendit. 

Kështu deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë një takimi të zhvilluar me dhjetëra e qindra të rinj e të reja të njësisë bashkiake numër 1 të Tiranës. “Duke u bashkuar këtu, duke punuar në mënyrë më të organizuar, unë jam i bindur se vitin e ardhshëm LSI-ja pa dyshim do të jetë forcë kryesore jo vetëm në rezultatin elektoral, por edhe në qeverisjen e vendit. Sepse ky vend ka nevojë që të ndahet nga keqqeverisja e deritanishme”, u shpreh Meta. Lideri i LSI-së, Meta është ndalur gjerësisht në sjelljen e turpshme të kryeministrit Berisha në sallën e Parlamentit shqiptar. “LSI-ja distancohet ashpër nga skenat e dhunës verbale dhe politike të iniciuara dhe të realizuara nga dyshja Berisha–Topalli, që të eksituar në euforinë e pushteteve të pakufizuara, pasi bllokuan për muaj të tërë ngritjen e komisionit Hetimor Parlamentar për tragjedinë e Gërdecit, dhe pasi dhunuan në mënyrë antidemokratike në natën e 21 prillit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi grabitën me një rregullore antikushtetuese një pjesë të mirë të kompetencave të Presidentit të Republikës, në natën e 21 korrikut kërcënuan se do të zhdukin edhe deputetë në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Meta. Gjatë këtij aktiviteti kryetari i LSI-së, Meta shoqërohej nga kryetarja e LRI, Erisa Xhixho, nga kryetari i LSI-së Tiranë, Ilir Dashi. Në fjalën përshëndetëse kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, ftoi të gjithë të rinjtë e kësaj njësie për t’u angazhuar më shumë me LRI-në, sepse sikurse e tha ajo vetë, vetëm në këtë mënyrë të rinjtë përfaqësohen në vendimmarrje publike. “LRI ka qenë gjithmonë prezent, duke denoncuar çdo padrejtësi dhe arbitraritet, që është konstatuar në procesin e zbatimit të reformës në sistemin parauniversitar”, theksoi Xhixho. Duke ju drejtuar të pranishmëve, Meta i bëri thirrje atyre për t’u bashkuar të gjithë me LRI-së, “sepse sot të rinjtë kanë një mision të përbashkët, atë të integrimit të vendit në BE. Unë besoj se është momenti që të gjithë të rinjtë të bashkohen me njëri-tjetrin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›