Sekuestrohen 1 milion euro pasuri të bosëve shqiptarë të drogës
Antimafia italiane sekuestron më shumë se 1 milion euro asete të një grupi trafikantësh shqiptarë të drogës dhe prostitucionit, nga Vlora dhe Durrësi. Bëhet fjalë për pasuri të patundshme në biznese, apartamente, makina, motoçikleta, sende me vlerë dhe llogari bankare. Sekuestrimet janë kryer në qytetin e Barit, por edhe në Shqipëri, ndërsa policia italiane tha se bëhet fjalë për një klan mafioz të mirëorganizuar. Operacioni është kryer nga drejtoria e Investigimit, Antimafia e Barit, e Milanos dhe Firences, të cilët kanë bashkëpunuar në këtë hetim që tashmë ka përfunduar në dyert e gjykatës. Grupi akuzohet për trafiqe narkotikësh dhe femrash, me aktivitet nga Pulja, në Lombardia dhe deri në Toskana. Antimafia identifikoi emrat e shqiptarëve, të cilëve u janë sekuestruar pasuritë. Ata janë Ermal Mehmeti dhe Krenar Çobo nga Vlora dhe Durrësi, të hetuar për shfrytëzim prostitucioni, të cilët bashkëpunonin me organizatën “Anemolo” të Barit, por dhe me klanet e Breshias. Mediat italiane raportuan se kjo organizatë bashkëpunonte me klanet Hasani në Durrës dhe ato të Vlorës. Në organizatë janë të përfshirë edhe italianë, si Domenico Azzone, Alessio Santino, ndërsa nën akuzë janë edhe shqiptarët Riza Bleta e Aleks Nikolli. Gjatë viteve të fundit janë kryer dhjetëra sekuestrime nga antimafia italiane. Hetuesit italianë kanë njoftuar dje se pronat e sekuestruara janë kapitale të vëna nga përfitimet e drejtpërdrejta të trafikut të drogës. “Është kryer tërësisht edhe sekuestroja e kompanisë “Selecta S.r.l.”, në pronësi të dy shqiptarëve. Kjo kompani, zyrtarisht merrej me përpunimin dhe prodhimin e lëkurës dhe ishte një biznes që funksiononte prej gati tre vitesh, por ngritja e këtij biznesi ka qenë i siguruar tërësisht nga shitja dhe trafikimi i drogës në Itali, por edhe në shtete të tjera europiane”, - njoftonte dje njësia e antidrogës së Barit në Itali. Mediat italiane kanë raportuar se 4 shqiptarët dhe dy italianët bashkëpunonin prej më shumë se 7 vitesh dhe ishin të implikuar në një rrjet të rëndësishëm të trafikut të heroinës. Sipas hetuesve italianë, gjurmimi i aktivitetit të tyre të dyshimtë ka nisur pesë vite më parë, por duket se vetëm përpara dy vitesh, hetuesit kanë mundur të bëjnë lidhjen mes një sasie heroine të ardhur nga Shqipëria dhe miqve shqiptaro-italianë. Vështirësitë e këtij hetimi kanë si shkak organizimin deri në detaje dhe nuk ka qenë e lehtë që të interceptoheshin me telefonata, siç ndodh rëndom në hetimin e organizatave të shpërndarjes së drogës. Hetuesit e antidrogës së Barit njoftuan se ky grup, prej disa vitesh ka qenë një ndër grupet kryesore të furnizimit me heroinë të pastër në zonën e Barit, ndërsa sasia e drogës është siguruar nga kontaktet brenda Shqipërisë. Pas skedimit dhe dokumentimit të përfshirjes së 4 shqiptarëve dhe 2 italianëve, hetuesit italianë kanë skeduar dhe një numër të konsiderueshëm të pronave të tyre, duke kërkuar prejardhjen e kapitalit. Janë dashur 11 muaj që hetuesit, nëpërmjet faturave dhe studimit të vlerës së biznesit të tyre të arrinin në konkluzionin se këto asete ishin vënë nga të ardhurat e tregtimit të paligjshëm të heroinës.
Të arrestuarit
Ermal Mehmeti
Krenar Çobo
Riza Bleta
Aleks Nikolli
Domenico Azzone
Alessio Santino