Rama dhe Berisha, përballje në Gjykatë tri ditë para zgjedhjeve
Tiranë Tri ditë përpara zgjedhjeve të 8 Majit, Sali Berisha e Edi Rama pritet të kenë një tjetër përballje në Gjykatën e Lartë. 5 maji është caktuar nga kolegji penal si dita e nisjes së betejës ligjore mes kreut të Partisë Socialiste dhe Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillimin e procedimit ndaj kryeministrit Berisha. Çështja me relator gjyqtarin Gani Dizdari iu nënshtrua dje shortit elektronik, ku u përzgjodh edhe trupi gjykues. Fillimisht, Gjykata e Lartë caktoi datën 18 prill për nisjen e shqyrtimit të padisë së Edi Ramës, por seanca e djeshme ka zgjatur vetëm pak minuta. Të pranishëm në seancë kanë qenë dy avokatët e kreut të PS-së, Agim Hysi dhe Arjan Salati, përfaqësuesja ligjore e kryeministrit Berisha, avokate Erinda Ballanca si dhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Alfred Profonati. Gjatë seancës, dy avokatët e z. Rama depozituan kërkesën e tyre që ka si objekt kundërshtimin e vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillimin e procedimit penal ndaj kryeministrit të vendit z. Sali Berisha. Pasi u njoh me këtë kërkesë, kolegji penal vendosi shtyrjen e seancës për të verifikuar kohën e njoftimit të palëve, duke caktuar kështu datën 5 maj për fillimin e procesit gjyqësor, ku përballë do të jenë avokatët e z. Rama dhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme. Si palë e interesuar, e pranishme në procesin gjyqësor pritet të jetë edhe avokatja e kryeministrit, pasi kallëzimi penal i Edi Ramës adresohet pikërisht ndaj tij. Sipas këtij kallëzimi, që fillimisht është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, Rama thotë se Sali Berisha ka konsumuar elemente të veprës penale “fyerjes” dhe “shpifjes” për shkak të detyrës në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të datës 26.11.2009 dhe në konferencën për shtyp të dhënë në datën 02.12.2009. Duke renditur në ligjëratë të drejtë fjalën e kryeministrit, Rama citon në kallëzim se në datën 29 nëntor të vitit 2009 Berisha ka thënë: “Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij …? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur…”. Po kështu, avokatët e kreut të PS-së thonë në kallëzim se po në të njëjtën deklaratë, Berisha ka i ka adresuar Ramës të tjera shprehje dhe shpifje. Në kallëzimin e tij kreu i PS-së, i cili kandidon edhe për Bashkinë e Tiranës, thotë: “Unë nuk kam bërë e as çuar kurrë ndërmend akuza të tilla të përbindshme, të cilat i hedh poshtë me neveri, kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë, kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për t’u rritur dhe edukuar normalisht”. Fillimisht, Prokuroria e Përgjithshme kreu verifikimet e nevojshme rreth kallëzimit penal të kreut të opozitës, duke arritur në përfundimin se nuk ka vend për regjistrimin e procedimit penal ndaj kryeministrit Berisha. Vendimi për mosfillimin e hetimeve kundërshtohet tashmë nga Rama, i cili ka zgjedhur Gjykatën e Lartë si gjykatën kompetente që mund të detyrojë Prokurorinë e Përgjithshme të rinisë hetimet për kallëzimin e tij.
Berisha
“Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur…”
Rama
“Unë nuk kam bërë e as çuar kurrë ndërmend akuza të tilla të përbindshme, të cilat i hedh poshtë me neveri, kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë, kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për t’u rritur dhe edukuar normalisht”