Kapen autorët e grabitjes me armë dhe maska
ELBASAN Arrestohen dy persona të akuzuar për vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim. Gjatë operacionit të koduar “Agimi” janë vënë në pranga Florind Leci 21 vjeç, me banim në fshatin Sericë të Elbasanit dhe Fadil Bardhi 32 vjeç, me banim në fshatin Godolesh, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin në datën 15 prill të këtij viti, në aksin rrugor Labinot Fushë-Sericë kanë grabitur me armë zjarri tip automatik dhe të maskuar me maska një sasi të konsiderueshme parash, bizhuteri floriri, telefona celularë, shtetasve D. Duzha 39 vjeç, banues në lagjen ‘Emin Matraxhiu’ Elbasan dhe M. Meçani 57 vjeç banues në Labionot Fushë. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një automatik model 56, një krehër automatiku, 30 fishekë, disa bizhuteri floriri, një telefon celular dhe një maskë. Sipas nëndrejtorit të policisë së Elbasanit, Rezear Velemishi, identifikimi i autorëve u arrit pas një pune intensive hetimore. Ndaj autorëve është ngritur akuza e vjedhjes me armë e kryer në bashkëpunim. F.S.