Mungon i pandehur, shtyhet sërish “Boboshtica”
Korçë Nis kalvari i zvarritjes së çështjes “Boboshtica”, rikthehen shtyrjet e seancave. Deri tani janë zhvilluar vetëm tri seanca të njërës prej dosjeve më të rëndësishme dhe me një interes të madh publiku, si ajo e dhunimit të varrezës së vjetër të Boboshticës në rrethin e Korçës, sërish të pandehurit kanë filluar të mos paraqiten në proces. Kjo ka ndodhur edhe gjatë të hënës në mëngjes, kur trupi gjykues kishte përcaktuar nga seanca e fundit vazhdimin e procesit me pyetjen e disa dëshmitarëve. Shkak për shtyrjen e radhës është bërë mungesa e njërit prej të pandehurve dhe konkretisht punëtorit Luan Zaçe, ndërsa kanë qenë të pranishëm 2 të pandehurit e tjerë, kreu i ‘Omonias’ në Korçë, Naun Disho, si dhe punëtori tjetër Alqi Koroveshi. Në këtë seance ishte parashikuar të dëgjohej dëshmia e kryetarit të Komunës Drenovë, Flamur Sala, dhe priftit të kishës së Shën Mërisë, At Jani Trebicka. Dëshmitarët kanë qenë të pranishëm në sallë, por mungesa e punëtorit Luan Zaçe bëri që seanca të anulohet për t’u zhvilluar vetëm pas dy javësh. Organi i akuzës në juglindje i cilëson dy dëshmitë e kryekomunarit Sala dhe priftit Trebicka si mjaft të rëndësishme për të hedhur dritë mbi zbardhjen e një prej çështjeje më të përfolura prej disa muajsh në media. Tre të pandehurit, kreu i ‘Omonias’, Disho, dhe dy punëtorët Luan Zaçe dhe Alqi Koroveshi akuzohen për veprën penale “Dhunim i varreve” si dhe “Ndërtim i paligjshëm”. Të pandehurit kanë dhënë dëshmitë e tyre në seancën e parë, ndërkohë që janë thirrur për të dëshmuar plot 12 shtetas që kanë dijeni për ngjarjen, e cila krijoi kaos në fshatin e njohur Boboshticë, por dhe në opinionin publik nga ana tjetër. Historia e Boboshticës nisi gjatë muajit shtator të vitit të kaluar, kur tre të pandehurit të implikuar në këtë skandal kanë marrë pjesë në ndërtimin e një platforme betoni në varrezën gati njëshekullore të Boboshticës, që ndodhet në territorin e Kishës së Shën Mërisë në këtë fshat. Gjatë shtrimit të platformës, por dhe disa shkallëve betoni nga sipërfaqja e tokës, ka bërë të ditur akuza, kanë dalë eshtra kockore të banorëve të fshatit që prehen aty. Kjo gjë ka shkaktuar reagime të shumta, ndërkohë që të alarmuar banorët kanë kërkuar ndihmën e organeve kompetente. E gjithë kjo histori lidhej me një ceremoni përkujtimore që do të zhvillohej në muajin tetor nga Konsullata Greke në Korçë në nderim të dy ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në afërsi të këtij fshati dhe që preheshin në këtë varrezë. Tashmë seanca e radhës ku do të dëshmojë kryetari i komunës Drenovë pjesë administrative e së cilës është dhe Boboshtica si dhe prifti i kishës së Shën Mërisë ku ndodhet varreza do të zhvillohet më 28 prill.