Gjuante peshk me dinamit në Fierzë, lë dy duart
HAS - Është nisur në liqenin e Fierzës për të gjuajtur peshk, por dinamiti i ka shpërthyer në duar, duke e plagosur rëndë. Burime zyrtare të policisë lokale, thanë dje se, ngjarja e rëndë ka ndodhur në bregun e liqenit të Fierzës, në afërsi të fshatit Liken i Kuq në rrethin e Hasit, në verilindje të vendit. Në mbrëmjen e së enjtes, shtetasi Rustem Vata, ndërsa ka ndezur fitilin, dinamiti i ka shpërthyer në duar, duke e plagosur rëndë, dhe duke i këputur të dy duart. Persona të tjerë që ndodheshin në afërsi të vendngjarjes e kanë transportuar menjëherë në drejtim të spitalit civil të qytetit të Kukësit. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, për shkak të gjendjes së rëndë, Vata është transportuar me helikopter në drejtim të spitalit ushtarak të Tiranës. Gjuetia e peshkut me mjete shpërthyese si dinamit, pleh kimik, apo me ndriçim në liqenin e Fierzës është e ndaluar me ligj, për shkak të dëmtimit që u shkaktojnë specieve të peshqve.
21 Qershor 2008