E Shtunë, 31 Tetor 2026

I çmenduri, mban peng dhe dhunon prindërit e moshuar për 72 orë



LIBRAZHD – Një person me probleme mendore ka mbajtur për disa ditë të ngujuar dhe ka keqtrajtuar prindërit e tij të moshuar, por pas denoncimit prej të afërmve, ka ndërhyrë policia, duke liruar çiftin dhe shoqëruar në komisariatin e Librazhdit autorin e kësaj ngjarje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se shtetasi Ardjan Kopaçi ka marrë peng prindërit e tij Shaban e Xhemile Kopaçi përkatësisht 82 e 63 vjeç dhe i ka izoluar ata në katin e tretë të banesës së tyre. Sipas burimeve policore 31-vjeçari Kopaçi, për tre ditë me radhë, i ka lënë prindërit e tij pa ngrënë e pa pirë. Sikur të mos i mjaftonte ky ndëshkim për prindërit i biri i ka keqtrajtuar e dhunuar ata në mënyrën më mizore duke u shkaktuar plagë të shumta në trup. Nga dhuna e vazhdueshme e ushtruar ndaj tyre nga i biri 31 vjeçar të moshuarit kanë kaluar në një gjendje të rëndë shëndetësore.
Denoncimi
Pas sinjalizimit të të afërmve të çiftit të bashkëshortëve të moshuar, policia ka arritur t’i zbulojë ata në vendin ku mbaheshin peng. Ardian Kopaçin është arrestuar në flagrancë mbrëmjen e së enjtes, por policia nuk ka dhënë detaje rreth motiveve të kësaj pengmarrje të pazakontë. Të afërm të autorit të kësaj ngjarje thanë se prej kohësh 31-vjeçari ishte person tepër problematik dhe me rrezikshmëri shoqërore për shkak të çekuilibrit mendor, sëmundje për të cilën është kuruar për disa kohë dhe në spitalin e të sëmurëve mendore të Elbasanit. Gjatë muajve të fundit ai ishte bërë rrezik serioz edhe për banorët e zonës ku jetonte dhe disa herë ishte shoqëruar nga policia në komisariatin e Librazhdit. Familja e 31-vjeçarit kishte këmbëngulur për trajtimin e tij spitalor, por për fat të keq nga ana e spitalit psikiatrik të Elbasanit edhe pse njihej për problemet serioze mendore ai nuk trajtohej më në kuadër të një projekti rehabilitimi të kësaj kategorie.
Problemi
Gjatë këtij viti janë shënuar një sërë rastesh të keqtrajtimit të qytetarëve nga persona me probleme mendore. Ngjarje të tilla u shënuan në Fier, Vlorë, Berat, Peshkopi, etj.. Dy rastet më flagrante ishin vrasja e një gruaje në Berat nga një 13-vjeçar, i cili doli nga burgu për shkak të moshës së mitur dhe masakrimi i 10-vjeçarit Bekim Çenga nga shtetasi Shpëtim Ziza në qytetin e Peshkopisë. Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar mbylljen e qendrave të specializuara për trajtimin e të sëmurëve mendorë nëpër spitale dhe ofrohen shërbime vetëm në rastet kur pacientët kanë probleme dhe kërkohet ndihmë nga prindërit e tyre.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›