E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga 35 metra poshtë në humnerë, shpëton 18-vjeçari



GJIROKASTËR – Një 18-vjeçar, teksa mblidhte bimë medicionale, ka rrëshqitur nga një shkëmb, duke rënë në humnerë, rreth 35 metra poshtë, por fati e ka shpëtuar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje, rreth orës 9.00, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë nga një shtetas nga fshati Asim Zeneli, i komunës Antigone, se një shok i tij ka rënë në një humnerë në rrëzë të malit Çajup mbi fshatin Saraqinisht të Gjirokastrës. Menjëherë forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje ku ka rezultuar se shtetasi Endri Hitaj, lindur dhe banues në fshatin Asim Zeneli, të komunës Antigone të rrethit të Gjirokastrës, ka qenë së bashku me 2 bashkëmoshatarë, po nga i njëjti fshat, duke mbledhur çaj në vendin e quajtur Polonec, rreth 3 orë larg mbi fshatin Saraqinisht në rrëzë të malit Çajup. 18-vjeçari ka rrëshqitur aksidentalisht, duke rënë në një humnerë rreth 30-35 metra të thellë. Forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër së bashku me banorët e fshatit Asim Zeneli, rreth orës 12.00, kanë bërë të mundur që me anën e litarëve të nxjerrin këtë shtetas nga humnera. Për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe largësisë rreth 3 orë nga rruga e makinës, për të transportuar për në spital këtë shtetas është kërkuar ndihma e helikopterit të shëndetësisë, i cili ka mbërritur në vendngjarje dhe ka bërë të mundur transportin e këtij shtetasi drejt Tiranës. Sipas mjekëve të Spitalit Rajonal Gjirokastër, të cilët ishin në vendngjarje shtetasi Endri Hitaj ka pësuar dëmtime fizike, por është jashtë rrezikut për jetën.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›