E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen tre të miturit, vodhën kompjuterat e dy shkollave 9-vjeçare



DURRËS – Pas disa ditësh hetimi policia e Durrësit ndaloi tre të mitur të cilët vodhën dy shkolla në zonën e Shkozetit. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se rreth orës 24.00 të ditës së enjte bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e A.Th., lindur në Kavajë, F.G., lindur në Berat dhe E.A., lindur ne Pogradec, që të tre me banim në lagjen Nr. 13 të qytetit bregdetar. Sipas zëdhënëses Ornela Caka, “ndalimi i tyre u bë për arsye se më datë 15 06 2008, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur, me thyerje, shkollat 9-vjeçare “B.Curri 1” dhe “B. Curri 2”, ku kanë marrë 2 kompjutera me të gjithë aksesorët si dhe një sasi parash. Lidhur me këtë ngjarje, katër ditë më parë policia ka bërë shpallja në kërkim e tyre. Kapja e tre të miturve u bë e mundur në qytetin e Pogradecit, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga forcat e policisë. Gjate kontrollit të banesave të tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura. Materialet procedurale për veprën penale “të vjedhjes në bashkëpunim” iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›