Rinas, policia kthen mbrapsht tre tongolezë
Policia shqiptare kthen mbrapsht në kufi tre shtetas nga Tongo, të cilët ishin të dyshimtë për shkak të mungesës së dokumentacionit. Bashkë me tre të kthyerit mbrapsht ka qenë edhe një i katërt, por ai është mbajtur përkohësisht në Shqipëri, pasi në momentin kur po tentohej deportimi i tij, gjendja shëndetësore është përkeqësuar, duke përfunduar në Spitalin Ushtarak. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur dje pasdite. Nga të dhënat hetimore mësohet se ata kanë mbërritur në Shqipëri rreth orës 15:30, me një linjë ajrore nga Turqia. Gjatë kontrollit në aeroport, ka rezultuar se ata nuk ishin të pajisur me viza hyrjeje në vendin tonë, kështu që është bërë shoqërimi i tyre në Komisariatin e Rinasit. Pas konsultimit edhe me policinë kufitare, është vendosur që ata të prapësohen. Por çudia ka ndodhur kur të katër shtetasit nga Tongo, po prapësoheshin me një linjë ajrore drejt Turqisë. Një prej tyre është përkeqësuar nga gjendja shëndetësore dhe i ka rënë të fikët. Sipas burimeve nga policia, ai quhet Pekoe Lassey Adodo. Burimet nga grupi hetimor shpjegojnë se në momentin kthimit për tek avioni, ai ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia tha se është ndihmuar menjëherë nga personeli mjekësor i aeroportit, të cilët vendosën ta dërgojnë për mjekim të mëtejshëm në Spitalin Ushtarak. Ndërsa nga policia kufitare u morën masa për shoqërimin e këtij shtetasi me dy punonjës policie, të cilët e kanë mbajtur nën mbikëqyrje. Ndërkaq, tre të tjerët, janë dërguar mbrapsht.