Tentoi të vriste, prangoset 39-vjeçari
Një 39-vjeçar nga Fieri është vënë në prangat e policisë, pasi ka qenë person i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, të ndodhur në kushte të rënda psikike. Sipas burimeve të policisë së Fierit, bëhet e ditur se është arrestuar shtetasi Arben Gjika, banor i qytetit të Fierit. Ai rezultonte në listat e personave të shpallur në kërkim prej më shumë se tre vjetësh. Burimet zyrtare policore tregojnë për gazetën "Shqip" se Gjika është dënuar me tre vjet burg për akuzën e "tentativës së vrasjes së ndodhur në kushte të rënda psikike". Ngjarja në fjalë është shënuar në vitin 2004 në Greqi. Sipas burimeve policore, Gjika ka qenë për shumë vite emigrant në Greqi dhe për shkak të mosmarrëveshjeve me një shtetas grek, tek i cili punonte, ka kaluar një periudhë të vështirë psikike. Një ditë fieraku mori një thikë dhe qëlloi grekun që nuk i jepte paratë për punën e bërë. Fatmirësisht greku doli nga rreziku për jetën.