E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detyroi të dashurën të bëhej prostitutë, kapet pas 6 vjetësh

Një 34-vjeçar nga fshati Karavasta i Komunës Rremas në rrethin e Lushnjës ka rënë në prangat e policisë, pasi kërkohej si autor i veprës penale "shfrytëzim për prostitucion në rrethana rënduese". Ka qenë policia kriminale e Komisariatit të Lushnjës ajo që mëngjesin e së premtes ka realizuar arrestimin e shtetasit Aurel Perriu. 34-vjeçari Perriu, i martuar dhe me fëmijë, banor i fshatit Karavasta, rezultonte person i shpallur në kërkim qysh nga janari i vitit 2008, ndërkohë që për një periudhë gjashtëvjeçare, ai i është nënshtruar një serie të gjatë gjyqesh. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se ka qenë e dashura e tij e quajtur, R.Dosari, ajo që e ka vënë atë në telashe me policinë e drejtësinë. Në denoncimin e kryer në polici, Dosari, ka thënë se gjatë vitit 2002, Aurel Perriu e kishte mashtruar si fillim dhe më pas me dhunë e kishte shfrytëzuar si prostitutë në Itali. Vajza e shfrytëzuar ka shkuar në Itali për shkollë, ndërkohë që i dashuri i saj e detyronte të prostituonte. Pasi ka punuar për më shumë se gjashtë muaj, ajo është kthyer në Shqipëri dhe ka denoncuar të dashurin tutor. Gjykata e Lushnjës, me vendim nr. 67 datë 15.06.2004 e dënoi në mungesë Aurel Perriun me nëntë vjet burg. Por, një gjykim i bërë për të njëjtën çështje nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Krujë, e cilëson 34-vjeçarin të pafajshëm. Vendimi i Gjykatës së Krujës mban nr.22 datë 11.06.2007. Apelimi i çështjes në fjalë në Gjykatën e Apelit Tiranë ka bërë që për 34-vjeçarin nga Lushnja të merret vendimi i dënimit me 22 muaj burg. Vendimi i Gjykatës së Tiranës mban nr.34 dhe datë 23.01.2008. Mosdërgimi i çështjes për në Gjykatën e Lartë ka bërë që dosja e tij t‘i dërgohet policisë së Lushnjës dhe kjo e fundit ta shpallë Aurel Perriun person në kërkim. Prej më shumë se një viti, 34-vjeçari është endur sa në një fshat në tjetrin, duke iu shmangur prangave dhe vuajtjes së dënimit. Ai është arrestuar në qytetin e Lushnjës, ndërsa lëvizte në ilegalitet nga banesa e tij në Karavasta drejt një të afërmi në Lushnjë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›