Kapen katër veta të shpallur në kërkim
Vetëm për muajin janar të këtij viti, policia e Elbasanit ka bërë të mundur kapjen e katër personave në kërkim. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Qarkut, personat e kapur janë dënuar kohë më parë në mungesë për vepra penale të ndryshme, por që janë përpjekur të fshihen brenda ose jashtë vendit. I njëjti burim zyrtar konfirmon se është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e 31-vjeçarit, G.A. nga lagjja "Partizani", për të cilin Gjykata e Faktit kishte dhënë tetë muaj heqje lirie për armëmbajtje pa leje. Ndërsa për veprën penale "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë", është bërë e mundur kapja e 24-vjeçarit T.A. në lagjen "28 Nëntori" të këtij qyteti, ndërkohë që në Librazhd është ndaluar 33-vjeçari Ylli Luzi, i akuzuar për dhënie ndihme të kalimit të paligjshëm të kufirit. Po ashtu është kapur edhe 31-vjeçari B.A. nga qyteti i Elbasanit, i shpallur në kërkim për veprën penale "largim nga vendi i ngjarjes".