Përgjimet, shtohet ndjeshëm numri i kërkesave
Gjykata e Krimeve të Rënda ka gjykuar gjatë vitit të kaluar 1021 çështje. Numrin më të madh të kërkesave të shqyrtuara nga ana e gjyqtarëve e zënë ato për përgjime të personave të dyshuar. Në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, vuri në dukje se Gjykata e Shkallës së Parë kishte shqyrtuar një numër shumë të madh të kërkesave për përgjime. Sipas Spahiut, kanë mbërritur shumë kërkesa në të cilat thuhet se janë bërë shumë shkelje në lidhje me përgjimet dhe meqenëse vendimet për përgjimet nuk monitorohen as nga Gjykata e Apelit, atëherë duhet të bëhen ndryshime në ligj. Kështu, një nga ndryshimet që duhet të futet në ligj ishte edhe përcaktimi i emrit të personit, për të cilin kërkohet përgjimi nga ana e prokurorisë, krahas numrit të tij të telefonit. Këto përgjime vijnë edhe në shkeljet që mund të bëhen në përgjimin e ndonjë personi me imunitet.