E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuetia e fundit

Një faqe nga libri "Gjuetia...", me autore Karla del Ponte, ish-Prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte, flet për "faktin" që, në një shtëpi në një fshat në Veri të Shqipërisë, mund të jenë kryer transplante të 300 robërve serbë të luftës, në vitin 1999.

Në librin prej 300 faqesh ka plot ngjarje dhe rrëfenja interesante, por tashmë, në Ballkan, dhe sidomos në Serbi, janë ndalur fort në këtë faqe. Kjo faqe është aktualizuar dhe nga titujt e fundit të agjencive të lajmeve që po bëjnë xhiron e botës: "Serbia i kërkon ndihmë Europës për të hetuar në Shqipëri...", "Beogradi këmbëngul; shqiptarët vranë serbët për organe", "Serbia kritikon Shqipërinë për hetimin e trafikut të organeve etj.".

Libri u botua në qershor të këtij viti, por një fakt tjetër i rëndësishëm që ka lidhje me këtë "ngjarje" injorohet apo përmendet shkarazi. Më 2 shkurt të vitit 2004, një grup prej 15 vetësh nga "Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës", erdhën në shtëpinë ku supozohej se ishte kryer trafik organesh. E kthyen përmbys, hetuan dhe arritën në përfundimin se akuzat nuk kishin bazë.

Kjo çështje nuk u paraqit kurrë në Gjykatën e Hagës. Vetë gjykata dha përgjigjen për akuzat e zonjës Del Ponte: "The Tribunal is aware of very serious allegations of human organ trafficking raised by the former Prosecutor, Carla Del Ponte, in a book recently published in Italian under her name. No evidence in support of such allegations ëas ever brought before the Tribunal's judges."

Por të kthehemi në "lajmin e ditës". Gjatë tri ditëve të fundit kam qëndruar në Burrel në një trajnim me gazetarët lokalë. Lajmin mbi mbërritjen e prokurorit serb për këtë çështje gazetarët lokalë e pritën me buzëqeshje. Nënjë fshat të vogël ku lëvizja e një lope bën lajm, viktima e vetme e këtij lajmi të madh, bashkë me të vërtetën është i zoti i shtëpisë.

Tradita e zonës e do që, çdo i panjohur që troket, ftohet në shtëpi. Pas grupit të ardhur nga Haga, atë e kanë vizituar shpesh, gazetarë serbë të paraqitur si sllovenë, gazetarë të tjerë të huaj, hetues etj. Ka të ngjarë që, pas zhurmës së madhe që po bëhet në Serbi, ai sërish të ketë vizitorë. Ky është reagimi nga "vendngjarja".

Në Tiranë, zyra e kryeministrit përgënjeshtroi për agjencinë “Reuter” komentet që i atribuohen prokurorit serb, Vukcevi, sipas të cilave "i është kërkuar shërbimit sekret për të shkatërruar dokumente të rëndësishme nën ndikimin e Ramush Haradinajt". Ajo i cilësoi akuzat si "shpikje të një imagjinate të sëmurë dhe halucinante".

Mbërritja e prokurorëve serbë në Tiranë mund të kishte më tepër rezultat dhe do të shihej mirë nga opinioni këtu, nëse do të kishte si objekt bashkëpunimin për të luftuar "krimin e organizuar".

"Informacionet shtesë" për një çështje të hetuar nga prokurorët e Hagës janë thjesht propagandë që, ndonëse në Tiranë nuk impresionon njeri, ka tjetër efekt në Beograd dhe në opinionin publik ndërkombëtar. Në Beograd krijohet tjetër atmosferë. "Lajme" të tilla pas pavarësisë së Kosovës dhe pas dorëzimit në Hagë të të shumëkërkuarit Karaxhic janë ushqim i preferuar për opinionin e brendshëm serb.

Për opinionin në Tiranë është ndryshe. "Traun e vet serbët janë përpjekur gjithmonë ta bëjnë qime" dhe qimen e kosovarëve ta bëjnë tra". Varret masive, me nga 8000 të vrarë, janë krijuar nga serbët. Nuk është hera e parë në këto anë që agresori kërkon të ndërrojë rol me viktimën.

Janë me qindra dhe mijëra shqiptarë të Kosovës që, 9 vjet pas përfundimit të luftës, janë të humbur. Nën këtë zhurmë propagandistike, ndoshta, në Shqipëri, do të vijë një reporter i Këshillit të Europës. Do të shqyrtohet edhe njëherë çështja dhe kjo do të jetë – gjuetia e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›