E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ndodhi me radion BBC dhe një paralele me Tiranën

Lajmi që dominon faqet e para të gazetave të djeshme britanike është ai për largimin nga puna të një prezantuesi të radios të BBC-së, i cili nxiti mijëra ankesa, pasi kishte bërë telefonata fyese seksuale në një transmetim. Prezantuesi në fjalë, Russel Brand, ka kërkuar falje për telefonatat që ia kishte bërë një aktori të njohur britanik, Andrew Sachs, në lidhje me mbesën e tij. Dy prezantuesit kishin thënë në emision se, Brand (drejtuesi i emisionit), kishte fjetur me mbesën 23-vjeçare të z.Sachs dhe kishin bërë shaka se ai mund të vriste veten.

Para se të jepte dorëheqje, BBC-ja e kishte pezulluar Brand-in dhe një prezantues tjetër (Jonathan Ross) të përfshirë në këtë zhvillim kontravers. "Brand largohet, Ross rri varur, ndërsa BBC-ja përpiqet të kufizojë stuhinë e zjarrit," - është titulli kryesor në faqen e parë të gazetës “The Guardian”.

Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Mark Thompson, i tërbuar po e shqyrtonte mundësinë nëse korporata duhej tërhequr plotësisht nga lloji i komedisë delikate, në të cilën janë të specializuar çifti i lartpërmendur i prezantuesve.

“The Guardian”, thotë se, Thompson, fluturoi mbrëmë nga pushimet e tij në Itali, për të marrë kontrollin, pasi kishte dhënë urdhrin për pezullimin e çiftit të prezantuesve, duke kërkuar përsëri falje personale dhe pa rezervë. Edhe vetë ministri i drejtësisë, Jack Straw, kërkoi publikisht largimin e të dy prezantuesve nga puna. 27 mijë telefonata ankese u bënë.

E solla këtë rast për të bërë një paralele me Tiranën. Sa gjëra fyese thuhen nëpër disa emisione tonat, për drogën, seksin etj. Ndryshimi është që, ndërsa në Europë, këta tipa skandalozë, vihen me shpatulla pas murit dhe shkojnë në shtëpi, në Tiranë bëhen star-e dhe trajtohen rrugëve si yje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›