Gjuha dhe shtetarët
Në polemikë e sipër për konfliktet e egra që kanë pushtuar politikën shqiptare, konflikte që (kjo është e tepërt) po shtrihen në krejt shoqërinë, një televizion shqiptar kërkoi opinionin e dy intelektualëve të njohur e të nderuar, Xhevat Lloshi dhe Edmond Tupe, në lidhje me gjuhën e përdorur nga krerë të politikës shqiptare, më së pari nga kryeministri i vendit.
Mund të themi se na u duk mjaft korrekte analiza e gjuhëtarit Xhevat Lloshi, që bën apel për të respektuar kërkesat formale të gjuhës sipas mjediseve, në rastin tonë, për Parlamentin.
Por, nga ana tjetër, nuk mund të jemi të një mendjeje me mikun dhe kolegun Edmond Tupe, që përpiqet të gjejë një zgjidhje të veçantë dhe të koklavitur për sharjet e politikanëve, duke përdorur figurën e valvolës, që shfryn presionin, në rastin tonë helmin, dëshpërimin, mllefet, dhe pastaj ata (politikanët) janë më të qetë (!)
Do të ishte një argument i pranueshëm, nëse do të kishim të bënim me një rastësi. Por, sulmet e dëshpëruara, të herëpashershme, mbartin kuptimin e ngjyrosjes së gjithçkaje - në jetën shqiptare - me baltërat e politikës.
Jo më larg se disa muaj përpara, në një takim elektoral në Shkodër, në prani të kryeparlamentares dhe mes fëmijëve të veshur si në festë, me kostume popullore, u fol për tredhje... Madje pati edhe të qeshura sarkastike.
Ose le të kujtojmë, (normalisht duhej t'i harronim sjellje të tilla,) bisedën me deputetin T. Balla. Ka qenë tejet e turpshme. ("Jot mëmë dhe jot shoqe çfarë do të bëhet, jot motër ç'do të bëhet?" Dhe më tej: "Fundërrinë do të bëhet jot motër? Prostitutë motelesh do të bëhet?" Dhe pastaj kryeparlamentarja me ulu dhe kapnie për zhelesh, etj.) Mirëpo miku im Tupe thotë se ashtu, përmes sharjesh si t'i vijnë, njeriu shfryhet dhe qetësohet. Ani.
Nuk e pamë këtë gjë. Dhe ja si e përshkruan zhgënjimin një kolege te "Shekulli": "Shpresova se pas atij horrori në Parlament, z. kryeministër do të ishte kthjelluar disi dhe fill të nesërmen do të përpiqej të dukej diçka si më i ekuilibruar. Por, zi e me zi! Përçartja u transferua në Pogradec, në ditën e Kurban Bajramit, për të trazuar një tjetër festë, për t'u kthyer përsëri në Tiranë, në ditën e festës sonë kombëtare".
Ç'mund të themi kur kjo gjuhë e këto sjellje të pahijshme, përsëriten e përsëriten pareshtur? Nëse i kalojmë momente të tilla me humor apo duke u përpjekur të gjejmë zgjidhje jashtëtokësore, kjo shkon në të kundërtën e asaj që duam të ndërtojmë.
Nuk mund të pranohet ajo që thotë z. Edmond Tupe në lidhje me frazat e pakontrolluara të politikanëve, madje na duket një qëndrim përkëdhelës ndaj tyre. Këtu do t'i kërkoja ndjesë lexuesit të vëmendshëm të gazetës "Shekulli" për një parantezë.
Me Tupen kemi ndarë përpjekjet për mbijetesë në Gramshin e viteve '80-të, kur ishim mësues në të njëjtën shkollë. Së bashku, kemi folur për gjëra të ndaluara në kohërat më të errëta. E kujtoj atë gjithnjë si një "kryengritës", që edhe atëherë ishte kundër rregullave të ngurta dhe shtirjes.
Kujtoj kalamburet e tij të bukura e plot humor, gjithnjë me dy kuptime, ndërkohë që kemi folur me shumë seriozitet për politikë e pedagogji, për letërsi e art. Kujtoj ditët kur ai filloi të shkruante një novelë moderne, vetëm me dialogë, të cilat mi lexonte plot patos, siç ai është gjithnjë, në pritje të një dite më të mirë për të gjithë ne. Dhe ja tek jemi pas kaq kohësh në një liri të pacak e në një kakofoni si askund. S'mund të justifikohet çdo gjë me liri dhe me pushtet.
Ne kemi dhe duhet të kemi pretendime të mëdha për mënyrën se si flasin politikanët, shtetarët në veçanti. Ju kujtoj se i gjithë ky debat me fjalor të pakontrolluar, është një stres i madh për shoqërinë shqiptare, deri edhe për fëmijët.
Një ekspert i gjuhës, thotë: "Padyshim, politika është një nga aktivitetet shoqërore, që presupozon artin e fjalës, e fjalës së bukur, me kolor, me pasion, figuracion.
Politika është kombinim i të folurit, të drejtpërdrejtë, të thjeshtë, komunikues dhe imponues, por dhe i të folurit të tërthortë, me figuracion dhe pasuri të gjerë semantike." Një tjetër gjuhëtar shqiptar, shprehet: "Nuk i shkon politikanëve dhe drejtuesve të partive apo të parlamentit forma dialektore."
Ja edhe gjuhëtari nga trevat e Maqedonisë, Avzi Mustafa, që thotë se kujdesi për gjuhën nga politikanët, nga ata që mbase më shumë i kanë zënë ekranet televizive, "kujtoj se është çështje që nuk rregullohet më të thënë e me të bërë".
Dhe më tutje: "As ligji, as dëshira jonë, nuk e rregullon këtë çështje. Janë këtu një mori faktorësh që kanë ndikuar për përdorimin e tillë të gjuhës në opinion nga figurat politike të vendit."
Ngado që ta vërtisim argumentin, ne s'jemi të një mendjeje dhe bëjmë vërejtje për përdorimin e fjalëve të huaja, për teprimin me trajtat dialektore, për mungesën e pasurisë leksikore, etj.
Sa për akuzat plot urrejtje dhe për baltën e fëlliqur, ca më shumë kjo nuk justifikon as përdoruesit, as interpretuesit. Për ta mbyllur, le të kujtojmë disa nënvizime të njerëzve që i kanë ditur apo i dinë edhe më mirë se ne këto punë.
Eqrem Çabej thoshte: "Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij." Kurse Tajar Zavalani: "E mjera shqipe, ç'i punojnë e s'ka gjuhë të ankohet!" Por, ja edhe një frazë e thellë nga Ismail Kadare: "Gjuha më mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe."
Dhe me sa duket, koha që ne po jetojmë - domethënë ditët dhe muajt në konflikte, se prirjen për ku shkojmë, e kemi me zemër të gjithë - është një kohë e mjerë. Urojmë të ikë sa më shpejt dhe të fillojmë të jetojmë një kohë me më shumë dritë.