E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkon të prishë provat, godet punonjësin e policisë

SHKODËR/ Viljan Bajrami është vënë në pranga pasi fyu dhe goditi një polic të patrullës

SHKODËR - Ka përfunduar në pranga 37-vjeçari Viljan Bajrami, pasi akuzohet për "goditje dhe fyerje për shkak të detyrës të punonjësit të policisë".


Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen "Partizani" të qytetit të Shkodrës, pak pasi në këtë zonë kishte ndodhur një aksident jo i rëndë. Një punonjës i policisë, pas aksidentit, ka rrethuar dhe ka ruajtur vendin e ngjarjes, në pritje të mbërritjes së ekspertëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore për vijimin e mëtejshëm të hetimeve.


Por ndërkohë, Bajrami, i cili po udhëtonte me automjetin e tij, ka dashur të kalonte në këtë vend, duke nisur një konflikt me punonjësin e policisë. Ky i fundit nuk e ka lejuar kalimin e tij, duke i treguar se prishte vendin e ngjarjes.

Por një arsyetim i tillë nuk është pranuar nga Bajrami, i cili pas shkëmbimit të disa fjalëve me policin e ka fyer dhe më pas e ka goditur atë. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe patrulla e policisë, e cila ka bërë arrestimin e 37-vjeçarit. Ai akuzohet për "fyerje dhe goditje për shkak të detyrës".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›