E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti, ringrihet një kooperativë bujqësore në Kosmaç

SHKODËR/ Ambasada spanjolle po investon për të ndihmuar fermerët në një bashkëpunim më të mirë


SHKODËR - Në fshatin Kosmaç të Shkodrës ka filluar zbatimi i një projekti pilot për ngritjen e një kooperative bujqësore.


Nën mbikëqyrjen e ambasadës spanjolle në Tiranë, ka nisur zbatimi i kësaj nisme, e cila sjell risi në sferën e zhvillimit bujqësor në Shkodër.


Fermerët e këtij fshati, por dhe nga fshatra të tjerë të komunave Bushat e Gur i Zi, në prani dhe të ambasadorit spanjol Jose Manuel Montobio, i cili ka kryer dhe ndërmjetësimin e këtij projekti në këtë zonë të Nënshkodrës.


Sipas ambasadorit spanjoll, një projekt i tillë i ri është i domosdoshëm me qëllim që tregu prodhues bujqësor vendas të përshtatet me ato të vendeve të BE-së, ku Shqipëria aspiron të hyjë.


Një përvojë e tillë është provuar dhe në shtetin spanjoll, dhe ka rezultuar shumë e suksesshme në integrimin e fermerëve vendas me tregun që ekziston në këtë zonë, pasi në bazë të bashkëpunimit të fermerëve me njëri-tjetrin, arrihet të gjendet dhe tregu i shitjes për këto prodhime, të cilët tashmë do të kenë një tjetër standard.


Sipas kryetarit të komunës Bushat, Zef Hila, ky projekt synon zhvillimin e kultivimin e kulturave bujqësore në një zonë me tokë pjellore, duke u përqendruar tek produktet e shportës së përditshme, siç janë perimet e llojeve të ndryshme. Për këtë qëllim, bashkëpunimi spanjoll ka dhuruar katër traktorë për fermerët.


Drejtori i qarkut, Jorgji Prifti, heq përgjegjësitë duke thënë se njerëzit duhet të kërkojnë vetë shtim sportelesh


Librezat e shëndetit, radhë të gjata në Fier


FIER - Në Drejtorinë e Rajonale të Sigurimit e Kujdesit Shëndetësor Fier çdo ditë në sportelin ku ndahen Librezat e Shëndetit do të hasësh një fluks të madh qytetarësh.


Kjo ndodh për arsye se për të marrë një librezë shëndeti vijnë njerëz nga 19 qendra shëndetësore që ka rrethi i Fierit, nga 45 që ka gjithë qarku. Njerëzit ankohen se rrinë me orë të tëra në radhë, ndërkohë që kërkojnë që për të zvogëluar radhët e gjata dhe kohën, të hapet një sportel tjetër ose të shtohet personel.


Sipas drejtorit Rajonal të Sigurimeve të Qarkut Fier, Jorgji Prifti, ky problem është shtuar këto ditë pasi të gjithë personat që nuk janë të siguruar ose kur janë të siguruar dhe nuk paraqesin dokumentet përkatëse, siç është libreza e shëndetit, janë të detyruar të paguajnë tarifat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë në sistemin Shëndetësor. Pra, duke mos pasur një librezë do të duhet të paguash 1 500 lekë (nga 600 lekë të reja që ishte) për çdo vizitë apo ekzaminim që kryen.


Në të kundërtën, për mjekët që shkelin këtë ligj dhe nuk zbatojnë këto tarifat do të ndëshkohen me masa administrative. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që qytetarët po kërkojnë të pajisen me librezën, të cilësuar aq të domosdoshme, duke krijuar radhë të gjata dhe pritshmëri.


Vetë drejtori Jorgji Prifti, shprehet se nuk është faji i kësaj drejtorie për radhët e gjata të qytetarëve që rrinë në pritje për të marrë një librezë shëndetësore, por duhet të jenë vetë ata që të kërkojnë hapjen e një tjetër sporteli që do të evitonte orët e gjata në këmbë të tyre, ku shumica janë moshë e thyer.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›