E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e adoleshentit, roja i fabrikës akuzohet për vrasje

FUSHË-KRUJË/ Llesh Rica ka përfunduar në pranga. Dyshohet se bashkë me Zallën në fabrikë ishin dhe tre vetë


FUSHË- KRUJË - Roja i fabrikës së çimentos akuzohet për "vrasje me dashje". Kjo është akuza e ngritur ndaj 50-vjeçari Llesh Rica, i cili po hetohet për vrasjen e 17-vjeçarit Avdyl Zalla, ngjarje e ndodhur pasditen e së dielës në Fushë-Krujë.


Burime nga prokuroria e Krujës, e cila po heton lidhur me ngjarjen, bëjnë të ditur se roja i fabrikës ka shkelur rregullat e përdorimit të armëve të zjarrit, sipas rregullores së përcaktuar me ligj.


Ndërkohë deklarohet se nga hetimet ka rezultuar se në kohën kur i riu është qëlluar nga plumbat, kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, të cilët janë larguar me vrap, pasi është vrarë shoku i tyre.


Ndërkohë, burime pranë policisë së qarkut të Durrësit shprehet se ende nuk kanë dalë përgjigjet zyrtare të ekspertizës shkencore, e cila do të vërtetojë nëse plumbat që vranë Avdyl Zallën janë qëlluar drejt mbi trupin e tij apo kanë qenë rikoshet, ashtu siç pretendon edhe roja 50-vjeçar.


Përgjigjja lidhur me këtë detaj pritet të mbërrijë sot në zyrën e prokurorisë së Krujës, kohë në të cilën ai do të dërgohet edhe për masë sigurie. Avdyl Zalla, 17 vjeç, mbeti i vrarë ditën e diel brenda në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë.


Ai ka hyrë fshehurazi në ambientet e saj, dyshohet bashkë me persona të tjerë. Roja në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore ka deklaruar se ai ka qëlluar në ajër për ta trembur adoleshentin, si dhe për të thirrur kolegët e tij që ndodheshin në pika të ndryshme të fabrikës.


Por dy nga plumbat e shtënë nga arma kallashnikov kanë kapur edhe të riun duke shkaktuar vdekjen e tij. Nga ana e policisë u bë rrethimi i fabrikës, duke iu druajtur edhe një konflikti me banorë të zonës, të cilët jo rrallë janë përleshur me drejtues të këtij objekti.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›