Kosova si model
Pothuaj dy vjet pasi shteti më i ri në botë e shpalli pavarësinë, fuqitë e jashtme ende kanë kontroll të fuqishëm në Kosovë. Rreth 14 mijë trupa të NATO-s ndodhen atje për të ruajtur paqen, një dekadë pasi erdhën aty për t'i mbrojtur kosovarët prej asgjësimit nga Serbia fqinje.
Me vetëm dy milionë banorë, numri i ushtarëve të huaj për banor është pothuaj sa dyfishi i përpjesës së njëjtë në Afganistan. Me një shkallë papunësie prej 45%, shumica e njerëzve varen nga dërgesat nga jashtë. Kosova nuk ka kod telefonik ndërkombëtar, kurse numrat celularë janë huazuar nga Monakoja apo Sllovenia.
Megjithatë, përkundër të gjitha problemeve dhe dhembjeve në rritje, Kosova citohet nga shumë diplomatë si model i besueshëm i ndërtimit të shtetit, sidomos në kohën kur po zhvillohet debati rreth Afganistanit, se përpjekja e vendosur e të huajve mund të ndihmojë ndërtimin e shtetit nga hiri.Pas shumë viteve të konfliktit etnik, siguria dhe stabiliteti po lëshojnë rrënjë.
Parashikimet se pavarësia do të çonte në vrasje hakmarrëse të shumicës shqiptare kundër pakicës serbe, dolën si të tejfryra. Në fillim të vitit që vjen, NATO-ja pritet ta zvogëlojë forcën e vet për një të tretën.Por, shumë pak njerëz në Kosovë parashikojnë se rruga për të ecur përpara është e lehtë.
Në intervista, diplomatët e huaj, zyrtarët e qeverisë dhe kosovarët e thjeshtë janë dakord se do të duhen vite, në mos dekada, që Kosova të qëndrojë në këmbët e veta.
Madje, dhe tani, një holandez e ka pothuaj pushtetin absolut për t'i bllokuar vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Rreth 3 mijë pjesëtarët e forcës së sigurisë, të dërguar nga Bashkimi Evropian, janë shpërndarë nëpër polici dhe gjykata. Ndërkohë, shumë kosovarë besojnë se ambasada e Shteteve të Bashkuara i dikton punët e vendit nga prapaskena.
Kosova i mbajti zgjedhjet e para lokale, të cilat kaluan kryesisht qetë dhe pa akuza të mëdha për manipulime. Vëzhguesit e huaj, madje, u inkurajuan nga dalja e serbëve në zgjedhje, të cilët e injoruan thirrjen për bojkot nga Qeveria serbe në Beograd.
Një diplomat perëndimor thotë se Kosova përfiton nga fakti se pak a shumë është e harruar. "Ndërtimit të shtetit thjesht i duhet kohë. Ky është proces i ngadalshëm dhe i dhembshëm", thotë diplomati, në kushte anonimiteti.
Vetëm 63 shtete, rreth një e treta e Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Pesë vende të bllokut tregtar, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, kanë refuzuar të vendosin marrëdhënie diplomatike, nga frika se do t'u jepnin shtysë aspiratave secesioniste të pakicave në vendet e tyre.
Por, përfundimisht, siç thotë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosja: "Nëse Evropa vërtet dëshironte të na zhvillonte, ata do të sillnin zhvillim ekonomik, e jo ushtarë".