E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, kalimet mbi hekurudhë, rrezik i përditshëm

Mësohet se janë 52 kalime të paligjshme dhe 320 ndërtime që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit


FIER - Në Qarkun e Fierit përgjatë vijës hekurudhore, ndodhen aktualisht 52 kalime në nivel të paligjshëm dhe që rrezikojnë jetë njerëzish. Gjithashtu aty ndodhen edhe 320 ndërtime pa leje.


Të gjitha këto mbikalesa ndodhen afër zonave të banuara dhe në të njëjtat kushte janë edhe ndërtimet pa leje, për të cilat pronarët e tyre nuk kanë respektuar largësinë, e cila, sipas ligjit duhet të jetë jo më pak se 25 metra.


Shifra të tilla të frikshme jepen pikërisht nga drejtuesit e hekurudhës, duke u shprehur edhe se ata kanë dërguar shkresa për prishjen e këtyre kalimeve të paligjshme në nivel, të cilat përbëjnë një rrezik të madh, si për ata që kalojnë, por edhe për vetë banorët që ndodhen aty pranë dhe që në raste aksidentesh mund të jenë viktimat e radhës.


Kjo pasi këto kalime të paligjshme kanë qenë në jo pak raste shkak për aksidente të ndryshme, ku treni është përplasur me automjete që kanë kaluar pa marrë parasysh rregullat e qarkullimit rrugor. Jo më larg se një javë më parë, treni mori zvarrë një furgon rreth 100 metra, në një mbikalim të paligjshëm në vijën hekurudhore Levan - Fier.


Këto kalime, të cilat nuk figurojnë në hartën e hekurudhës së qarkut, janë ndërtuar në zonat të banuara, ku qytetarët me mjetet e tyre ose në këmbë, kalojnë mbi trasenë e hekurudhës duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.


Shumë pranë qendrës së stacionit hekurudhor të Fierit, vetëm 50 metra larg ndodhet një kalim i tillë, i cili lidh dy lagje të qytetit, atë të Mbrostar-Urës dhe "15 Tetorit". Në këtë vend, çdo ditë kalojnë dhjetëra makina ose njerëz të cilët shkojnë në banesat e tyre apo në qytet.


Vetë banorët shprehen se ka ardhur koha që ky kalim të bëhet i ligjshëm dhe të vendosen trare parandalues ose një personel, në mënyrë që të kontrollohet kalimi i trenit ose i tyre.


"Jemi ne ata që kemi shpëtuar njerëz kur treni ka goditur mjete të mbushura me udhëtarë, - shprehen qytetarët Baki Hoxha e Sulo Mirjani, duke përmendur këtu rastin e përplasjes së trenit me furgonin e mësuesve. Në atë kohë furgoni u përplas me murin rrethues të një banese, e cila ndodhet shumë pranë shinave.


Ndërkohë, vetë drejtuesit e hekurudhës së qarkut Fier lidhur me kalimet e paligjshme, si dhe ndërtimet pa leje shumë pranë shinave të trenit, i kanë dërguar shkresa Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Fierit, në Prefekturë dhe në Policinë e Shtetit me shpresën se ato do të prishen.


Vetë drejtori rajonal, Mustaf Gashi, shprehet se ata vetë kanë ndërhyrë për t'i prishur hera-herës, por sërish banorët i kanë rikthyer në gjendjen e tyre. Mësohet gjithashtu se përgjatë vijës hekurudhore nga lokalet që ndodhen pranë rrugës nacionale Fier-Levan, hidhen plehrat, duke rrezikuar seriozisht bllokimin e shinave dhe daljen e trenit prej tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›