Gjuha e Nënës; UNESCO raporton kombet që po zhduken
Sivjet mbushen plot 10 vjet kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 21 shkurtin si “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Nënë”. Çdo vit kjo datë paraqet një mundësi kuptimplotë e të veçantë për të diskutuar, reaguar e promovuar të gjitha gjuhët folëse në planetin tonë. Si një mjet që shpejton njohjen, kuptimin, dialogun, shprehjen e vizionit të realitetit të një kulture të veçantë, çdonjëra prej mbi gjashtë mijë gjuhëve aktualisht folëse në tokë, ushqen e pasuron me origjinalitetin e vet të pazëvendësueshëm pasurinë kulturore të njerëzimit. Rëndësia që kanë gjuhët në strukturën kulturore të çdo kombi shpjegon dhe rolin strategjik që ato duhen të marrin përballë sfidave të mëdha të së ardhmes.
“Kush di akoma të flasë në botën natyrore në të cilën jeton, kush është i aftë të rinjohë e të përshkruajë në gjuhën e tij këngën e një zogu, do të bëhet pjesëmarrës i fatit të tij. Përkundrazi, kush nën një presion historik të diskriminimit e mohimit shtyhet të braktisë botën e tij, duke harruar e mosnjohur gjuhën e kulturën e paraardhësve, përfiton horizonte të tjera njohëse. Këto të fundit janë të fragmentizuara e të paqarta e që shtyjnë automatikisht drejt një bote akoma më me hapësirë. Braktisja e gjuhës mëmë nuk të drejton patjetër në zotërimin e plotë shprehës të një gjuhe dominuese por çon domosdoshmërisht në krijimin e argumenteve diskriminuese”, - shkruan sociologu italian prof. Francesco Gnerre.
Gjuha nënë është e vetmja mënyrë e aftë për të shprehur plotësisht çdo nevojë komunikimi, nuk është thjesht një mjet mesazhi, por është shprehja e gjithçkaje që përmbledh një botë me vlera kulturore e sociale, me tradita e njohuri. Pra gjuha është pasuria kulturore jomateriale që duhet shpëtuar e transmetuar gjeneratave të ardhshme. Më shumë se 50% e 6700 gjuhëve aktualisht folëse në të gjithë globin janë në rrezik zhdukjeje, e çdo gjuhë që vdes, merr me vete një pjesë nga vizioni i përgjithshëm kulturor i botës. 96% e gjuhëve ekzistuese sot në botë flitet vetëm nga 4% e popullsisë e më pak se 25% e tyre përdoret në shkolla apo në internet. Mbi 50 milionë qytetarë evropianë (një në shtatë) i përket një grupi linguistik minoritar. Evropa mund të krahasohet më Kullën e Babelit, pasi numri i gjuhëve folëse në të është mbi 60 kundrejt 21 gjuhëve të saj zyrtare. Por jo gjithmonë të ashtuquajturat gjuhë më pak të përhapura zotërohen po nga pak folës, p.sh. katalano është një gjuhë minoritare në Spanjë, Francë, e Itali, por numri i personave që e flasin është më i madh për sa u përket folësve të gjuhës daneze apo finlandeze, të cilat janë pjesë e gjuhëve zyrtare të Bashkimit Evropian. “Gjuha është instrumenti i parë i gjenisë së një populli”, - ka thënë Stendal, pra me anë të saj mëshirohet identiteti nacional, kulturor e fetar i çdo personi.
***
Mbrojtja e llojshmërisë gjuhësore hyn në mbrojtjen e gjerë të llojshmërisë kulturore, shpëtimi i së cilës merr një rëndësi të veçantë në një botë përherë e më të globalizuar. Pikërisht zhvillimi i dialogëve midis kulturave, promovimi i plurilinguistikës e mbrojtja e pakicave gjuhësore janë terren ku UNESCO-ja ka zhvilluar e zhvillon programe të ndryshme ndërhyrjesh. Të vlerësosh gjuhët do të thotë të respektosh njerëzit që i flasin ato e kulturat që ato shprehin, por do të thotë të respektosh dhe rrethanat e veçantitë e çdo folësi me diferencat individuale, me aftësitë e ndryshme funksionale e personale që krijojnë identitetin dallues të çdo individi. Një rëndësi të veçantë merr në këtë epokë të sotme problemi delikat i emigracionit.
Të privosh emigrantin nga gjuha e tij nënë do të thotë të krijosh kushtet e një konflikti midis modelit familjar e atij social që nënkupton shpërfilljen ndaj identitetit të tij. Por, në qoftë se gjuha e kultura e tyre do të respektohen me sisteme shkollore, kjo do të çojë pa dyshim në rritjen e stimës ndaj vetvetes e ndaj të tjerëve. Historikisht mosfavorizimi i respektit të zgjedhjes së lirë të gjuhës ka krijuar një atmosferë jo pak problematike, mjaft të kujtojmë vendet ish-koloniale. Popullsia e tyre jeton në një kompleksitet social të lidhur nga përdorimi i gjuhës së derivuar nga kolonizatorët, edhe pse shpesh popullsia është e formuar nga grupime të cilat flasin gjuhën e përbashkët vendase. Apo mjaft të kujtojmë se në Spanjë gjatë diktaturës së Frankos, mësuesit në shkolla rrihnin fëmijët që flisnin gjuhën baske. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, anglishtja ishte e vetmja gjuhë që mësohej në shkollat e Porto Rikos. Në Tajvan duhej pritur viti 1987 që gjuha nënë të rikthehej në një të drejtë të sanksionuar me ligj. Sot një i burgosur turk nuk mund t’u përgjigjet letrave që i vijnë nga jashtë pasi atij i lejohet vetëm të shkruajë në gjuhën turke. Mbi 150 milionë fëmijë në të gjithë botën nuk arrin dot në klasën e pestë fillore, pra largohen nga shkolla pa pasur aftësitë e nevojshme bazë që do t’u duhen në harkun e tyre jetësor. Në Algjeri pas hyrjes në fuqi më 1998 të ligjit i cili bënte gjuhën arabe si e vetmja gjuhë zyrtare, janë shumëfishuar protestat e grupimeve minoritare kundër arabizmit të forcuar.
***
Sot anglishtja nuk është gjuha më e folur në botë, por është më e përdorura për të komunikuar në çdo cep të saj. Mijëra vetë investojnë shifra astronomike për ta mësuar, pasi ajo konsiderohet si një kalim i detyrueshëm për t’u bërë pjesë e botës së globalizuar.
Cilat janë gjuhët që po zhduken? Cila pjesë e botës e vuan më shumë këtë dukuri? Çfarë mund të bëjmë për ta shpëtuar këtë? Do të jetë botimi i UNESCO-s “Atlasi i gjuhëve të botës” që do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve. Ky atlas do t’i prezantohet për herë të parë publikut e masmedias më 19 shkurt, në prag të “Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Nënë”. Atlasi, që përmban një informacion të detajuar mbi 2500 gjuhë të studiuara, është frut i bashkëpunimit të një grupi gjuhëtarësh nën drejtimin e australianit prof. Christopher Moseley.
Viti që shkoi (2008) u quajt viti ndërkombëtar i gjuhës, e pikërisht bilanci i aktiviteteve të zhvilluara gjatë muajve të tij, zhvillimi i një sërë konferencash studimore, së bashku me promovimin e shpërndarjen gratis të “Atlasit” do të përbëjnë veprimtaritë kryesore që do karakterizojnë “Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Nënë” më 21 shkurt.
“Fjala është si uji që rrjedh, sjell me vete shijen e shkëmbit nga ka buruar e të terreneve në të cilat ka kaluar”, - shkruan filologu Giorgio Pasquale. Vdekja e gjuhëve është sot një dukuri gjithnjë e më e pranishme dhe me një ritëm intensiv të ngjashëm me zhdukjen e qenieve të gjalla, kafshëve, bimëve. Por ndryshe nga këto të fundit, gjuhët që vdesin, lënë prapa fragmente të asaj çka ishin. Pas fjalëve të lëna pas zbulohen gjurmët e një historie të madhe apo të vogël. E sidoqoftë, kjo histori qëndron mbi shpatullat e gjuhës që flasim, është rezultati. Dëshmia, memoria e ngjarjeve të mëdha.