E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit preken nga kriza, bie niveli i aktivitetit



Kriza po prek sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Qindra shoqëri ndërtimi nuk kanë mundur të bëjnë asnjë lekë xhiro në fillimin e vitit 2009 dhe sipas Shoqatës së Ndërtuesve është një sinjal alarmi për këtë sektor. Të mbledhur dje në Aktivin Kombëtar të Ndërtuesve, ndërtuesit shprehën shqetësimin e tyre lidhur me krizën që po kërcënon këtë sektor dhe kërkuan të merren masa për t’u paraprirë efekteve negative. "Pasojat indirekte të krizës ekonomike globale kanë filluar të ndihen. Mbi 700 shoqëri ndërtimi nga 2500 të regjistruara në shkallë vendi nuk kanë kryer asnjë lek xhiro", - u shpreh Luigj Aleksi, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve. Statistikat tregojnë se një numër i madh shoqërish ndërtimi s’po kryejnë aktivitet, por kjo do të thotë se dhe qindra punonjës kanë mbetur pa punë dhe familjet e tyre pa të ardhura. Ndërtuesit në këtë takim evidentuan një sërë shqetësimesh, që pengojnë këtë sektor në mbarëvajtjen e tij. Ndërtuesit shprehën shqetësimin lidhur me kushtet shtrënguese dhe pamundësive për t’u kredituar nga bankat e nivelit të dytë. Ndërtuesit kanë kërkuar zgjatjen e afatit të licencimit. Sipas ndërtueseve, me VKM-në e fundit për ndryshimin e kritereve të licencimit MPPTT-ja ka arritur të licencojë deri në fund të vitit 2008 vetëm 850 shoqëri ndërtimi. “Në baze të të dhënave, realisht janë rreth 2500 shoqëri ndërtimi që janë aktive dhe ushtrojnë veprimtari, gjë që do të thotë se rreth 65 për qind e tyre nuk janë licencuar ende. Moslicensimi i këtyre shoqërive ka ardhur për shkak të mosaplikimit të këtyre shoqërive për licencim sipas kritereve dhe procedurave të reja të përcaktuara në VKM-në e re”, - tha dje Aleksi. Po kështu, ndërtuesit ngritën shqetësimin lidhur me fiksimin e centralizuar të çmimeve të proceseve të punës në ndërtim, materialeve të ndërtimit, mbi bazën e të cilave përcaktohen detyrimet tatimore. Pak kohë më parë është miratuar manuali i punimeve të ndërtimit dhe çmimet e tyre të centralizuara e të fiksuara, mbi bazën e të cilit të bëhet llogaritja e detyrimeve tatimore për të gjitha shoqëritë e ndërtimit. Ndërtuesit janë shprehur shumë qartë se ky vendim, i cili bën të detyrueshëm zbatimin e manualit për llogaritjen e kostos dhe të çmimeve të punimeve të ndërtimit, në kushtet e ekonomisë së tregut, është plotësisht jashtë kohe, është kthim mbrapa, centralizim ekstrem dhe arbitraritet i pasens. “Për një vend që synon të instalojë ekonominë e tregut të lirë, ideja për fiksimin e centralizuar të çmimeve dhe mbi këtë bazë për përcaktimin e detyrimeve tatimore e kontrollin e këtyre detyrimeve, që në koncept është plotësisht e gabuar dhe pa kuptim”, - tha dje Aleksi. Ndërtuesit ngritën edhe shqetësimin tjetër në lidhje me ligjin e prokurimeve, kur kërkuan të bëhen ndryshime me qëllim që dhe ata të marrin pjesë në tenderat ndërkombëtarë. Ata kanë kërkuar që në rregulloren e Prokurimeve Publike, të merret parasysh që ftesa për ofertë dhe dokumentet e tenderimit për secilin ent prokurues të jenë standarde dhe jo evazive. Ndërkohë, gjatë takimit u ra dakord edhe për krijimin e një grupi pune, që do të hartojë një paket masash antikrizë, të cilën do t'ia paraqesë qeverisë. Sektori i ndërtimit është një ndër sektorët që ka njohur zhvillimin më të madh në ekonominë shqiptare të viteve të tranzicionit. Kompanitë e ndërtimit ushtrojnë një aktivitet, i cili për nga volumi i qarkullimit që realizon, arrin në mbi 1.2 miliardë euro në vit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›