E Diel, 1 Nëntor 2026

Opinioni publik: I lirë, por jo i çlirët



Artan FUGA

Këtë javë, temë qendrore e debatit politik u bënë dy sondazhe të opinionit publik në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Cili është komenti juaj?¬

Kam qenë si të thuash paksa i detyruar t’i ndjek këto dy sondazhe për arsye të profesionit. Është njësoj si në çështjet e eksport–importit. Meqenëse janë dy produkte (sondazhe) që vijnë nga jashtë, nuk ka asgjë të keqe, specialistët shqiptarë duhet të japin mendim hapur për cilësinë e tyre. Është njësoj si për cilësinë e mallrave të tjera që hyjnë në vend, por me një ndjeshmëri më të lartë për publikun, sesa ta zëmë duhanet, mishi, qumështi etj., i importuar. E them këtë sepse këtu, sikurse për ligjin e spastrimit të figurave, nuk më intereson aspak aspekti thjesht qytetar, por vetëm ana profesionale, në rastin e parë nga pikëpamja e filozofisë të së drejtës, në rastin e dytë nga pikëpamja e metodologjisë së matjes së opinionit publik. Nuk më intereson fare pra se kë nxjerr fitues sondazhi i qendrës “Gani Bobi” dhe kë nxjerr fitues sondazhi i “Zogby”. Në parim gara elektorale kështu e ka, njëri do të fitojë dhe tjetri do të humbasë, historia përsëritet në mos një herë, një herë tjetër. Nuk është problemi fare aty. Mund të ndodhë që rezultati i “Zogby” ta nxirrte Partinë Demokratike fituese dhe në zgjedhje të fitonte Partia Socialiste. Ose mund të ndodhë që rezultati i zgjedhjeve dhe ai i sondazhit të përputhen, por kjo mund të ndodhë edhe fare rastësisht. Rastësisht mund të marrësh rezultat të saktë, por nuk do të thotë medoemos që metodologjinë ta kesh të drejtë e logjike. Këtu nuk dua të komentoj rezultatin, por vetëm metodologjinë.

Po jap disa komente, sikurse m’i kërkuat, për mënyrën e paraqitjes së të dhënave të sondazhit të dytë, meqenëse ai është bërë objekt diskutimi, sepse është më i detajuar, kurse sondazhi i parë nuk lejon të japësh ndonjë mendim. Ka nevojë të bëhet më i detajuar. Por, edhe për rezultatet e sondazhit të kryer nga “Zogby” nuk mund të flas veçse duke u nisur nga deklarimet për shtyp, që kanë bërë mediat shqiptare dhe jo nga vetëdeklarimet e agjencisë që e ka bërë sondazhin. Kjo e dyta do të kishte qenë më e drejtë të ishte bërë, por deri tani nuk kam parë asnjë deklarim nga burimi i drejtpërdrejtë, pra nga agjencia e sondazhit. Mbase bëhet herën tjetër.

Nuk mund të thuash se agjencia “Zogby” është e panjohur në botën e matjes së opinionit publik, sigurisht në ato vende ku ekziston opinioni publik i matshëm. Nuk mendohet gjithashtu se ajo mund të pranojë ta shesë reputacionin e saj ndërkombëtar për interesa të qëllimta partiake në Shqipëri. Do të humbiste shumë më tepër sesa do të fitonte. Kjo agjenci, duke iu përmbajtur informacioneve për të, është angazhuar në matje të opinionit publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në vende të tjera. Ajo është e njohur për një anketë gjithashtu lidhur me matjen e opinionit amerikan se deri në ç’masë i ka besuar ai në atë kohë një komploti integrist me rastin e ngjarjes së hidhur e katastrofës së 11 shtatorit. Po kështu kanë qenë ndjekur me interes edhe sondazhet e saj në vendet e Lindjes së Mesme, por ato kanë qenë e pamundur të testohen nga pikëpamja e saktësisë së tyre. Specialistë të sondazheve shënojnë si ato herë kur agjencia në fjalë ka qenë pranë rezultateve të sakta, por edhe raste të tjera kur kanë qenë larg tyre, sikurse ndodhi me zgjedhjet presidenciale të 2004-s dhe ato legjislative të 2006 në Shtetet e Bashkuara. Për metodologjinë e sondazheve të kryera ka gjithmonë kundërshtime, si edhe për agjenci të tjera.

Pa hyrë fare te qëllimet, sepse abstragoj nga kjo anë, po ndalem te disa analiza teknike. Mendoj se “Top Channel”, media teknikisht shumë performante, ka interes të dijë sesi mund ta vlerësojë punën e agjencisë së kontraktuar për produktin në fjalë. Mbi këtë bazë mund të shërbejnë këto komente teknike edhe për publikun e gjerë.

Koha kur është bërë ky sondazh gjykohet prej meje e shpejtuar.

Nuk është në kohë. Ka nxitim. Profesionalisht flas. Anë të tjera nuk i di. Kur pyetet opinioni publik shqiptar sesi do të votonte në janar të vitit 2009, duhet ta dimë se ky elektorat masiv nuk i kishte në atë kohë, nuk kishte si t’i kishte, edhe sot e kësaj dite nuk i ka, të dhënat e duhura mbi të cilat ai duhet të votojë.

Dinte dhe di pak a shumë se cilat ishin dhe janë partitë në garë, megjithëse në atë kohë jo të gjitha subjektet kishin deklaruar se do të hynin në zgjedhje. Por nuk dinte dhe nuk di akoma dy të dhëna shumë të rëndësishme. Së pari, cilët janë kandidatët për deputetë të çdo partie në listën përkatëse, dhe kjo si në shkallë vendi, ashtu edhe për çdo qark. Së dyti, nuk dinte, dhe sot e kësaj dite, nuk e di, se cilat janë aleancat e mundshme politike, që do të lidhin partitë politike në mes tyre. Veç militantëve të thekur të partive, nuk ka mundësi racionale që dikush ta ketë vendosur se për cilën parti do të votojë, ende pa ditur se cilët janë kandidatët për deputetë nëpër listat partiake.

Pra, sipas meje, është bërë një pyetje e drejtë, në një kohë të gabuar, në të dyja rastet e sondazheve.

Është njësoj sikur të pyetej në Shtetet e Bashkuara se “Për cilin kandidat do të votoni?”, pa ditur e fare emrin e kandidatit për President, por vetëm përkatësinë e tij partiake. Kjo nuk bëhet dhe sipas meje nuk duhet përsëritur. Mbase duhet t’iu kërkohet partive politike t’i nxjerrin sa më shpejt listat me kandidatët e tyre për deputetë dhe jo t’i lënë për minutën e fundit, çka duket se imponohet nga lojëra të brendshme partiake.

Problemi i dytë i thekshëm është ai i kampionimit, pra i zgjedhjes së individëve që pyeten.

Këto vështirësi duhet t’i ketë pasur edhe sondazhi i parë, sepse është një problem i ndërlikuar, pothuajse i pazgjidhshëm për shoqëri si kjo e jona, ku opinioni nuk është mjaftueshëm i strukturuar në kategori të qarta sociale dhe, ku për më tepër, nuk ka statistika të besueshme për grupet shoqërore. Por, po ndalem te sondazhi i dytë, për shkak se “Zogby” i specifikon parimet e përzgjedhjes së të intervistuarve. Shenjë e mirë serioziteti. Por, duhet thënë se janë jashtë mase të diskutueshëm, krejt relativë dhe duhen debatuar midis specialistëve. Përndryshe ka vend për boshllëqe. Kjo ndodhi edhe në Shtetet e Bashkuara dhe kundërshtimet kanë filluar qysh atje për raste analoge. Tjetër është të marrësh opinione se për cilin do të votojë një apo një tjetër individ, dhe krejt tjetër ta pyesësh sesi do të dalin, sipas tij, rezultatet e votimeve. Rezultatet e votimeve nuk dalin thjesht nga mbledhja e vullneteve të veçanta elektorale të zgjedhësve. Sondazhi i “Zogby” nuk merr përsipër të tregojë rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve, por tregon vetëm sesi mund të votojnë individët që janë pyetur. Janë dy tregues larg njëri-tjetrit sa nata me ditën. Ata si specialistë që janë, nuk e kanë bërë këtë amalgamë metodologjike të pafalshme, kurse agjenci të opinionit publik shqiptar nuk mungojnë ta bëjnë në zjarr e sipër të etheve elektorale. Duhet kujdes. Rezultatet e zgjedhjeve dalin nga shpërndarja e numrit të kandidatëve për deputet për çdo qark dhe nga fituesit në çdo qarku, dhe jo nga numri i zgjedhësve individualë që kanë votuar për këtë ose atë parti. Mund të ndodhë fare mirë që një parti të fitojë vota më shumë në rang kombëtar, megjithatë ta shohë veten humbëse për nga numri i deputetëve.

Po kështu, në të mirë të transparencës metodologjike, çka përcakton besueshmërinë e sondazheve, duhet të tregohen se nga janë marrë ato 100 zona elektorale të shpërndara në të gjithë territorin. Pra të thuhet emri i tyre dhe jo vetëm numri. Ka rëndësi të veçantë kjo, sepse nëse ato zona i merr gabimisht në bastione elektorale të një krahu a të një krahu tjetër politik, rezultati do të dalë njëfarësoj, por ai nuk mund të mesatarizohet, pra nuk mund të merret si real. Nuk them se është rënë në këtë gabim, por mangësi është që këto zona nuk thuhet si janë zgjedhur dhe mbi të gjitha nuk ka informacione në deklarimet e shtypit se cilat janë këto zona. Mënyra sesi formulohet pyetja ka gjithashtu një rëndësi të veçantë. Në këtë pikë ka paqartësi jo të vogla, të cilat dalin në pah edhe nga paraqitja publike e metodologjisë, ashtu edhe nga një analizë e kujdesshme e të dhënave të botuara.

Le ta shpjegojmë me një shembull që nuk është i shpikur, por krejtësisht real, i cili ka shoqëruar kritikat që janë bërë për sondazhe në vende të tjera. Kur anketuesi pyeste: “A mendoni se Hillary Klinton ka shanse të zgjidhet presidente?”, ai merrte një përgjigje të caktuar. Por, përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje nuk shprehnin megjithatë mundësitë e kandidates për t’u zgjedhur ose jo. Përse? Sepse i anketuari mund të thoshte “jo”, por ai megjithatë mund të votonte për zonjën Klinton. Tjetër është pyetja: “A mendoni se ajo do të zgjidhet?”, dhe krejt tjetër pyetja: “A do të votoni ju për të?”. Duken si dy pyetje të njëjta, sinonimike, por në fakt janë larg njëra-tjetrës sa nata nga dita.

E them këtë se në relatimin e mediave thuhet se rezultatet 37 % për Partinë Socialiste apo 30 % për Partinë Demokratike, sikur zgjedhjet të ishin zhvilluar në janar 2009, janë përgjigje e pyetjes që kërkonte të dinte se: “A do të pranonit të votonit për partinë filan?”. Kështu del së paku nga relatimet e mediave kur paraqiten rezultatet e anketës. Duhet një semantikë shumë e saktë dhe jo formulime evazive ose të çlirëta. Tjetër është ta pyesësh dikë: “A do të pranoni të votonit për filan parti politike?” dhe krejt tjetër pyetja: “Për kë do të votoni ju?”. Po ta pyeste dikush një votues “A do të pranonit të votonit për Partinë Demokratike, Partinë Socialiste, Partinë Republikane, Lëvizjen Socialiste për Integrim, etj.?”, ai mund të përgjigjej: “Po”. Por, po ta pyesësh zgjedhësin në fjalë: “Për kë parti do të votosh ti?” - vështirë se ai do të nxirrte fjalë nga goja. Janë dy gjëra të ndryshme. Me një fjalë, ka nevojë që agjencitë e sondazheve të bëjnë publike edhe formularin e anketës me pyetjet përkatëse në mënyrë që të jenë transparente saktësisht me publikun dhe specialistët e studimit të opinionit publik shqiptar. Metodologjia e anketimit ka vend gjithashtu për debat dhe qartësime. Duhet ditur nëse të pyeturit kalojnë nëpër një proces intervistimi apo në një proces anketimi? Nuk kuptohet mirë kjo gjë dhe ka vend për t’u sqaruar. Ku bëhen pyetjet? Në një mjedis familjar apo shtëpi, por jashtë ndikimit dhe pranisë së opinionit të familjes? Apo në sytë e familjarëve? Ka rëndësi kapitale edhe kjo anë. Sepse kemi të bëjmë me respektimin e anonimatit. Ruajtja e anonimatit është një kriter themeltar për të pasur përgjigje të sakta dhe ndoshta të sinqerta. Kurse po të shkojnë “skuadrat” e anketimit, bile disa herë, sikurse thuhet, për të verifikuar përgjigjet, situata bëhet e vështirë për të marrë përgjigje të sakta. Nuk duhet bërë presion i tërthortë mbi të anketuarin, qoftë duke e “bezdisur” atë disa herë. Si vështirë që të përgjigjet ndokush saktë dhe hapur për atë se ku do ta hedhë votën e tij, veç militantëve që veprojnë në skenën politike, e drejta e tyre, me “letra të hapura”. Nuk është se ka ndonjë pasojë juridike nga shprehja e hapur e opinionit politik, por gjithsesi ka ndrojtje sepse pasoja sociale, ekonomike dhe administrative, edhe mund të ketë. Dikush është në punë në administratën qendrore apo të bashkisë, a të komunës. Dikush tjetër e ka njeriun e vet kuzhinier në ndonjë repart ushtarak, një tjetër ndruhet se e ka vjehrrin shofer me administratën e partisë filan, të tjerë duan të marrin ndonjë kredi bankare, ka që marrin ndihma nga shoqata, ndokush ka çështje gjyqësore të hapura, një mijë arsye të drejta ose jo për të kërkuar anonimitetin e anketimit.

Kjo është pyetja: Si ruhet anonimiteti i anketimit kur ai bëhet nga “skuadra” përgjatë intervistimesh sy më sy, dhe kur të gjithë, komshinj e familjarë, marrin vesh se për kë do të votojë dikushi? Kjo do t’i ngjante një harakirie mazokiste dhe jo një anketimi. Veç nëse të anketuarit paguhen. Nuk ndalohet. Edhe kjo pikë duhet sqaruar për opinionin publik shqiptar. Le të bëjmë një provë: Të bashkohen dy a tri media të ndryshme, dhe t’i bëjnë një shërbim publikut. Para kamerave t’iu kërkojnë kalimtarëve në sheshin kryesor të Tiranës duke i pyetur se “Për cilën parti do të votojnë?”. Do të shohim qartë sesa janë të gatshëm shqiptarët të përgjigjen, jashtë sigurimit të anonimitetit, një pyetjeje të tillë. Pale po të shkojmë nëpër administrata qendrore ose lokale, në shkolla të ndryshme, në spitale, a gjetiu në vende publike. Duhet bërë kjo provë. Por dikush mund të ketë kontestime për sa më sipër. Shqiptari është trim thotë. Unë nuk e kundërshtoj. Opinioni publik shqiptar është juridikisht i lirë, por jo realisht i çliruar. I lirë, por jo i çliruar. Jo më kot edhe në vende të tjerë anketimet e ruajnë fort anonimitetin e të pyeturit. Në telefon, duke mbushur një formular me kryqe, në internet etj., por jo aq me intervista “skuadrash”. Është provë fakti që asnjë agjenci shqiptare në sondazhesh në Shqipëri nuk hyn në këtë fushë. Një nga arsyet që rrëfejnë të interesuarit lidhet edhe me faktin e politizimit të tejskajshëm të këtij profesioni dhe mungesën e mjeteve për të përballuar presione mediatike dhe politike të ndryshme. Imagjinoni kur ndruhen anketuesit, deri në çfarë shkalle shkon druajtja e të anketuarit në shtëpinë a apartamentin e vet diku atje në një lagje të një komune të izoluar? Aq më shumë që ka përvoja ku publikohen edhe emrat e përgjegjësve të skuadrave, trajnuesit, verifikuesit etj. E kuptoj një kundërshtim të mundshëm: “I mbrojmë nga presionet, prandaj nuk jepen emra”. Pikërisht për këtë duhet anonimati. Si mund t’ia sigurosh të drejtën e anonimitetit anketuesit dhe të mos kujdesesh për anonimatin e të anketuarit? Interpretimi i të dhënave ka vend të bëhet i kujdesshëm dhe jo të jepen thjesht të dhëna bruto. Nuk mund të hidhet një “mollë” kështu në mes të opinionit, pa shpjeguar se çfarë është ajo. Këtë duhet ta bëjë dikush, një specialist i informuar a drejtues i sondazhit. Përse e them këtë? Sepse nga analiza e të dhënave që ka botuar media dalin, megjithatë një sërë aspektesh që kanë nevojë për sqarime. Pyetjes se: “Për cilën (cilat) parti politike keni mendim pozitiv?” (sipas formulimit që i është bërë kësaj pyetje në shtypin përkatës) del se 62 % e të pyeturve kanë mendim pozitiv për Partinë Socialiste dhe 54 % kanë mendim pozitiv për Partinë Demokratike. Nuk e vë në diskutim të dhënën, as e marr si të mirëqenë. Por, këtu ka megjithatë një problem. Vetëm për këto dy parti shumë e shifrave të përmendura e kalon numrin 100 %. Pa futur këtu parti të tjera politike si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe të tjera. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se të anketuarit i është kërkuar të shprehet pozitivisht për më shumë se një parti. Përndryshe të dhënat nuk do të kishin kuptim. Një pjesë e të pyeturve janë përgjigjur pozitivisht për dy partitë politikisht kundërshtare. Përgjigjja, kështu sikurse na është dhënë, pra, nuk tregon aspak se ku është preferenca e tyre politike. Në të kundërt, në votim qytetarit do t’i kërkohet të votojë vetëm për një parti politike. Po përsëri mbetet e paqartë se përse kaq shumë dallime në vlerësimet pozitive për partitë politike në krahasim me vlerësimet për liderët e tyre përkatës. Për Edi Ramën vlerësime pozitive në masën 44 % (62 % për Partinë Socialiste), për Sali Berishën 32 % (44 % për Partinë Demokratike). Këtu ka një problem meqë aktualisht kushdo që merret sadopak me politikë e di sesa janë të njehsuara në publik qëndrimet për një parti dhe për liderin e vet kryesor. Nuk janë parti me opozita të brendshme partitë politike shqiptare, ku të bëhet e mundur pastaj të mos duash liderin kryesor të partisë, por të kesh simpati për partinë. Janë dy imazhe pothuajse që shkojnë bashkë. Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhje me atë koncept dhe metodë që e drejton Edi Rama, dhe Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhje sipas konceptit dhe metodës së Sali Berishës, ndërsa LSI–ja sipas metodës dhe konceptit që në publik perceptohet si i Ilir Metës. Kishte kuptim të ndahej imazhi i Ilir Metës ose i Edi Ramës nga ai i Partisë Socialiste dikur kur duke qenë në atë parti, nuk ishin liderët kryesorë të saj. Por, jo tani kur ata janë shefa të pakundërshtueshëm të partive të tyre, të veçohet kaq thellë perceptimi për ta nga ai i partisë që ata drejtojnë. Ndruhem se të anketuarit nuk e kanë kuptuar mirë pyetjen. Diku thuhet se vetëm 51% e të pyeturve kanë vendosur se cilës parti politike do t’ia japin votën. Shifër që më duket bindëse. Pak a shumë. Por, në anë të tjetër pohohet se sipas sondazhit 37 % e të pyeturve janë për Partinë Socialiste, 30 % për Partinë Demokratike, nja 5 % i japin Lëvizjes Socialiste për Integrim, rreth 4% partive të tjera, dhe 19% mbeten të lëkundur e hezitues. Pra, pyetet: hezituesit janë 19 % apo 41 %? Nëse janë 41 %, si ndodh që shifrat për votat për partitë e ndryshme politike shkojnë bashkë me të lëkundurit deri te 100 % e të pyeturve? Si shpjegohet që 44 % e të anketuarve të shprehen se vendi po ecën në drejtim të mirë, ndërkohë që partisë që e drejton atë aktualisht i jepen 30 % vota të favorshme? Duhet një shpjegim këtu.

Duke lexuar intervistën me drejtuesin e agjencisë “Zog by” nuk mund të mos biesh dakord me të kur ai thotë se është i interesuar për të mos bërë lojën e ndonjë partie politike në Shqipëri. Është një afirmim që çdo ekspert në shkencat sociale duhet ta bëjë, e më tej, ta zbatojë sinqerisht. Por, nuk jam nga ana tjetër aspak dakord kur shprehet se sondazhet nuk i ndikojnë njerëzit përgjatë fushatës elektorale. Kjo nuk është e vërtetë. Shkencat e komunikimit dhe të informimit janë unanime për atë që është e kundërta. Përgjegjësia është e madhe. I ndikojnë që ç’ke me të. Dhe shumë bile. Sa dhe si i ndikojnë – kjo është pastaj një çështje tjetër. Mund ta trajtojmë një herë tjetër po të doni. Po kështu nuk jam dakord kur shprehet se njerëzit nuk duan t’ia dinë aq se cila parti politike i fiton zgjedhjet meqë janë të interesuar për përmirësimin e jetës së tyre. Patjetër kjo e dyta, por për fatin e partive politike sigurisht që janë të interesuar. Ky është thelbi i politikës si mekanizëm e mjet në demokraci. Po të ishte ndryshe atëherë përse do të pyeteshin njerëzit se për kë parti politike do të votojnë? Jo vetëm që i ndikojnë, por ndikojnë gjithë jetën politike, aq sa për ditë e ndofta për javë të tëra rreth rezultateve të sondazheve bëhet lufta dhe propaganda elektorale. Ne si qytetarë shohim me trishtim që shifrat e sondazheve nga matës i opinionit publik shndërrohen në objekt i opinionit publik. Aparati matës strukturon kështu vetë objektin që mat dhe i jep atij formën e vet.

Edhe një herë e theksoj, sipas meje, të gjitha agjencive që bëjnë sondazhe në Shqipëri, çfarëdo rezultatesh që ato të sjellin, pak rëndësi ka, duhet që t’iu kërkohet ta përmirësojnë dhe bëjnë transparente metodologjinë e matjes së opinionit publik.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›