"Gjuha kocka s'ka e kocka bluan", thotë populli"
Duke qenë në emigracion, sa shohim a dëgjojmë se flitet në gjuhën e nënës, emocionohemi dhe përqendrohemi të ndiejmë deri më të fundit fjalë apo pamje vizive, në kompjuter e në televizion. Këtu në Toronto, kemi një emision shqip gjysëm ore në dy ditë, në televizionin lokal, që na e përgatit një djalë për së mbari, emigrant nga Elbasani.
Më të përditshmen, e kemi përmes kompjuterit, rubrikat e gazetave kryesore të Tiranës, ku gazeta "Shekulli" është më e lidhur me mua sidomos, pasi komunikimin e ka prefekt dhe korrekt, i faleminderit.
Sot dua të falënderoj Shefqet Mekon, një letërshkrues si unë nga SHBA, emigrant, se përmes shkrimit tij, mora subjektin e këtij shkrimi.
"Gjuha kocka s'ka e kocka bluan" thotë populli e ne, na ka mbetur që të dëgjojmë apo lexojmë mbarë e prapë, ç'flitet e ç'nuk flitet. Nga një anë gjë e mirë kjo, po duhet të të logjikojë mendja, ç'duhet marrë (mbajtur) e ç'duhet lënë. Demokracia e vërtetë këtë presupozon, aq sa dhe njerëzit në të kanë hapësira të logjikojnë e thënë fjalën e tyre. Në Shqipëri sidomos, e drejta e fjalës është "marrë" nga ditët e pluralizmit fituar pas '90-ës.