Reformat dhe kriza e modeleve
Duke analizuar më në detaje ndryshimet thelbësore në sistemin kushtetues dhe atë politik, përvoja shqiptare është një dëshmi tjetër e mungesës së një modeli të qëndrueshëm, dhe për rrjedhojë, e krizës së modeleve. Dëshira për të krijuar institucione me përgjegjësi e kompetenca të njëjta me ato të disa vendeve perëndimore, ka ecur në raport kundërveprues me nevojën për harmonizimin e modeleve sipas traditës, nevojave dhe specifikave shqiptare. Edhe debatet e fundit politike rreth ndryshimeve të reja kushtetuese ishin argumente në favor të tezës së krizës së modeleve, të deformimit të modeleve perëndimore në modele shqiptare, të shkëputura dhe me probleme funksionimi brenda sistemit tërësor kushtetues dhe politik.
Konkretisht, le të marrim formulën e re kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Nga autorët e nismës kushtetuese u tha se po aplikohet modeli gjerman i zgjedhjeve presidenciale. Në fakt, në Gjermani ekziston një sistem politik i ndryshëm nga ai shqiptar. Kancelari gjerman ka kompetenca dhe përgjegjësi kushtetuese më të gjera sesa Kryeministri shqiptar. Po ashtu, Presidenti gjerman zgjidhet me 50+1 të votave, por jo në Parlament. Zgjedhja e tij bëhet në mbledhjen e përbashkët të parlamentit gjerman dhe të këshillave të landeve gjermane, pra me votat e dy Dhomave të parlamentit.
E njëjta gjë vlen edhe për sistemin zgjedhor. Edhe sistemi proporcional rajonal u tha se u mor nga Spanja. Në fakt, sistemi politik spanjoll, dhe vetë sistemi elektoral spanjoll, ka pak ngjashmëri me Shqipërinë. Kështu, Spanja ka mbret, ne jemi Republikë Parlamentare; Spanja ka rajone autonome, ne jemi vend i njësuar administrativ; Spanja ka sistem parlamentar me dy Dhoma, ne kemi sistem me një Dhomë; Spanja ka një traditë të gjatë të sistemit dypartiak, ne kemi një traditë të gjatë të sistemit një ose shumëpartiak.
Të njëjtat tipare paraqet edhe modeli mbi KQZ-në. Më 1998 ky institucion u ngrit në nivel kushtetues duke iu referuar modelit fillestar austriak, por shpejt (viti 2000) u hoq dorë nga ky model, duke ardhur më 2004, në një KQZ të balancuar politikisht. Tani që KQZ u hoq nga Kushtetuta, argumenti ishte se këtë model e kanë shumë vende të tjera, ashtu siç ideja për kalimin e administrimit të zgjedhjeve nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, po paraqitet si një model italian, i nevojshëm edhe për Shqipërinë.
Po ashtu, edhe ndryshimet që ndodhen në raportet midis dy pushteteve, pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, me mocionin e mosbesimit, janë një keqkuptim tjetër i modelit perëndimor. Formula e re kushtetuese quhet "mocion konstruktiv" dhe është aplikuar vetëm një herë në Gjermani (1982), përvojë të cilës edhe politikanët tanë i referohen. Mocioni konstruktiv nuk aplikohet në vende të tjera si Italia, Greqia, të cilave të njëjtit politikanë i referohen lidhur me kompetencat e parlamentit dhe të presidentit.
Në një raport më të detajuar të modelit tonë kushtetues dhe politik, gjenden një numër i madh rastesh të kundërvënies midis modelit shqiptar dhe modelit perëndimor referues. I tillë është rasti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD-së). Ideja e KLD-së është marrë nga modeli italian, kompetencat nga modeli grek dhe funksionimi brenda sistemit nga modeli norvegjez. Në tre këto modele, Presidenti nuk merr pjesë në mbledhjet e KLD-së dhe se kompetenca zgjedhore e parlamentit është më e kufizuar sesa ajo e parlamentit shqiptar. Pra, ne kemi krijuar një "qeveri të gjyqësorit", e cila në fakt nuk ka kompetenca direkte, por indirekte. Financimi i gjyqësorit bëhet nga një pushtet tjetër, ndarja e fondeve bëhet nga Konferenca Gjyqësore, propozimi disiplinor bëhet nga pushteti ekzekutiv (ministri i Drejtësisë), drejtimi dhe dekretimi bëhen nga Presidenti. Për ta thelluar krizën e identitetit "shqiptar" të KLD-së, Gjykata Kushtetuese ia hoqi atij edhe monopolin e kontrollit të gjykatave, duke e ndarë atë me Ministrin e Drejtësisë, pra me një pushtet tjetër.
Krizë modeli paraqet edhe struktura e qeverisjes vendore në Shqipëri. Modeli i një pushteti vendor nën Ministrinë e Brendshme dhe i pushtetit kontrollues qendror ndaj atij vendor është një model francez, por në dallim nga Franca në Shqipëri, prefektët kanë kompetenca formale. Më 2005 u kërkua kalimi edhe i Shërbimit Sekret në varësinë e Ministrisë së Brendshme, sipas përvojës franceze, edhe pse në Francë sistemi politik është gjysmë-presidencial, kurse ai shqiptar është parlamentar.
Paradokse dhe kundërvënie të tilla gjenden edhe në modelet e aplikuara për rolin dhe funksionet e KLSH-së, të Avokatit të Popullit, të Bankës Qendrore etj, deri edhe tek institucioni i Avokatit të Prokurimeve, një institucion i panjohur në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës Perëndimore.
Kriza e modeleve shtrihet edhe në rrafshin e organizimit partiak. Më 2004-2005 për herë të parë u aplikua në Shqipëri modeli britanik i qeverisë-hije, por pas rotacionit të pushtetit rezultoi se shumë prej ministrave në hije nuk u përfshinë në kabinetin qeveritar, ose morën poste të tjera nga ato sektorë që drejtonin "në hije". E njëjta krizë modelesh u shfaq edhe në aplikimin e parimit të njohur britanik, "një anëtar, një votë". Kur britanikët aplikuan këtë model zgjedhjeje, synimi ishte që anëtarësia të kishte pushtet për të zgjedhur kandidatin më të mirë për kryetar të partisë. Në Shqipëri modeli "një anëtar, një votë" u përkthye në votim me vetëm një kandidat, pra ku anëtarësia edhe po të dojë, nuk ka alternativë të dytë zgjedhjeve. Si i tillë, parimi britanik, në modelin shqiptar, nuk dha asnjë nga ato efekte të pritshme, të njohura për sistemin britanik.
Skena të tilla imitimi të modeleve, pa thelb dhe argument të qëndrueshëm shqiptar, shfaqen edhe debatet politike, në fushatat elektorale, në Policinë e Shtetit, në FA, në organizimin universitar e akademik, etj. Për pasojë krijohet një kulturë e imitimit, e shtirjes, e deformimit të reales, e humbjes së identitetit politik e shtetëror në atë formë, saqë në vend të efekteve pozitive, shërben si nxitës i pengesave, vështirësive, keqkuptimeve, deri edhe i falsitetit dhe areales. Kur këto fenomene ndodhin në një mjedis privat, qytetarët janë të lirë të zgjedhin, por kur kjo ndodh në themelet e organizimit politik, ligjor e shtetëror, atëherë qytetarët janë të dënuar të vuajnë pasojat e tyre.
Për evitimin e krizës së modeleve politike, ligjore dhe kushtetuese ka një sërë mekanizmash që lidhen me kulturën demokratike, me moralin politik e qytetar, me ndjenjën e përgjegjësisë, me mentalitetin e politik-bërjes dhe deri edhe me rolin e individëve në procesin reformues. Në aspektin shtetëror, i cili është edhe aspekti që u intereson më shumë qytetarëve, këshilla dhe forma të tilla të daljes nga kriza e modeleve gjenden në përvojat politike dhe shtetërore të çdo vendi, çdo partie dhe çdo sistemit politik. Edhe në Shqipëri, ne kemi një shembull autentik e të suksesshëm, të cilit nuk mund të mos i referohemi.
Presidenti i parë shqiptar, gjatë mandatit presidencial dhe më pas, gjatë drejtimit mbretëror ngriti një strukturë të veçantë shtetërore: Këshillin e Shtetit. Pjesë e tij ishin juristët më të njohur të kohës, konstitucionalistë dhe pedagogë të çështjeve juridike. Detyra e tyre bazë ishte hartimi i ligjeve bazë të shtetit, harmonizimi i modeleve dhe përshtatja e tyre për të dhënë në fund, një model autentik shqiptar. Të tilla ishin Kodi Penal, Kodi Civil, Kodi Tregtar, ligji mbi komunitetet fetare, ligji për arsimin, ligji për gjuhën dhe simbolet, ligji për bankat, ligji për tokën, etj. Të gjitha këto ligje u nisën nga modele perëndimore (kryesisht franceze, italiane dhe austriake), dhe në fund u përshtatën me kushtet, traditat dhe nevojat e Shqipërisë së atëhershme. Si të tilla, ato ende sot përbëjnë pasuri të legjislacionit shqiptar dhe shërbejnë si bazë referimi edhe debatet e sotme politike e juridike.
Gjatë formave të tjera të qeverisjes në Shqipëri, Këshilli i Shtetit u zëvendësua me Kolegje Gjyqtarësh, me Drejtori Juridike apo me Drejtori Kodifikimi. Nga modeli i Këshillit të Shtetit të periudhës 1927-1939 sot ky institucion ka rënë në nivelin e një drejtorie të zakonshme në Ministrinë e Drejtësisë. Nismat politike të shtatorit 2005 për të krijuar një këshill për legjislacionin me juristët më të njohur shqiptar pranë parlamentit apo qeverisë, për shkak të paqartësive në synime dhe formë, u shuan brenda javës.
Për pasojë, reforma më e madhe kushtetuese, pas Kushtetutës së vitit 1998, u krye nga politikanë kalimtar në çështjet e jurisprudencës, dhe se ndërhyrja në sistemin kushtetues e politik u bë pa marrë asnjë miratim informal, zyrtar apo publik të juristëve më të njohur, autorë të hartimit të kushtetutave dhe kodeve më të rëndësishme. Qoftë edhe kjo përvojë, duhet të shërbejë për nxitje, për një reformë të vërtetë, e cila të ketë në thelb, krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm e të besueshëm për daljen nga kriza e modeleve politike e shtetërore, drejt një modeli në funksional, me ndarje dhe balancim të qartë të pushteteve.