NASA e vogël shqiptare
Me amatorët e vëzhgimeve yjore në teleskopin e vetëm në Shqipëri. Midis ëndrrës dhe realitetit për të pasur observatorin e parë yjor në vend. Plani për të ngritur kupolën teleskopike dhe zhvillimit të "Nata e Yjeve"
"Të bësh zbulime yjore, kërkon jo vetëm staf të kualifikuar specialistësh, por edhe shuma të konsiderueshme parash, gjë që, për të qenë realist, vendi ynë nuk i ka. E vetmja gjë që duan ideatorët e ngritjes së observatorit, është grumbullimi i amatorëve të vëzhgimeve me teleskop apo dashamirësve të universit, në një natë të vetme, që pse jo mund të quhet edhe "Nata e Yjeve", siç njihet ndryshe në Paris."
Observator vrojtues yjor? Pse jo. Edhe ne shqiptarët, në një të ardhme jo shumë të largët, me pak shpenzime, mund të kemi modestisht kupolën tonë të vrojtimit yjor. Ndoshta nuk do të jetë aq i fuqishëm sa mund ta kenë vendet e tjera, por punë e madhe, rëndësi ka që me pak vullnet të mirë dhe ca para sigurisht, më në fund, do mund të realizojmë ëndrrën e kahershme për të vrojtuar me teleskop ato trupa qiellorë apo galaktika që më parë i kemi ndjekur apo dëgjuar nga dokumentarët fantastiko-shkencorë. E ulur pranë teleskopit të vetëm më të fuqishëm në Shqipëri, astrofizikania Mimoza Hafizi na thotë se gjithçka është e mundur dhe se për ta bërë realitet këtë ëndërr, nuk është se duhen më shumë se 20 mijë euro. Por më shumë se paratë, ky projekt, i pari dhe i vetmi në llojin e tij në Shqipëri, kërkon angazhimin e një trupe të specializuar astrofizikanësh. Në fakt, ideatorët e këtij projekti, nuk është se kanë për qëllim të bëjnë zbulime me kupolën yjore që kanë ndërmend të ngrenë. Për një vend kaq pa peshë sa Shqipëria, në astrofizikën botërore një gjë e tillë as që mund të çohet nëpër mend. Të bësh zbulime yjore, kërkon jo vetëm staf të kualifikuar specialistësh, por edhe shuma të konsiderueshme parash, gjë që, për të qenë realist, vendi ynë nuk i ka. E vetmja gjë që duan ideatorët e ngritjes së observatorit, është grumbullimi i amatorëve të vëzhgimeve me teleskop apo dashamirësve të universit, në një natë të vetme, që pse jo mund të quhet edhe "Nata e Yjeve", siç njihet ndryshe në Paris. "Është e realizueshme. Unë kam në projekt dhe kam kërkuar që kupola të gjendet me 10-15 mijë euro, sepse, sigurisht, duhet të jetë e rrotullueshme. Pra kjo gjë mund të bëhet, por do angazhim. Po kështu, do edhe një njeri që të merret vetëm me teleskopin",- pohon profesoreshë Mimoza, e cila na rrëfen se hëpërhë mundësia më e mirë për të ngritur observatorin, mbetet tarraca e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Jo se aty është qielli më i mirë për të vrojtuar, por në pamundësi për të pasur një vend tjetër më të mirë, kjo tarracë mbetet për momentin zgjidhja e vetme.
Herald Buneci, është një nga amatorët e shumtë i apasionuar pas yjeve, që disponon teleskop në shtëpi. Ai është aq i fiksuar pas vëzhgimeve yjore, sa ndodh që edhe mund ta zërë mëngjesi në dritare duke vëzhguar galaktikat. Dëshira e Heraldit për t'u marrë me vëzhgimet ka nisur që në vitin e parë të studimeve në degën e Fizikës. Profesoreshë Mimoza, na thotë se djaloshi është nga të rrallët studentë që tregojnë përkushtim të tillë ndaj universit, edhe pas përfundimit të studimeve. Heraldi është njëkohësisht manipuluesi i teleskopit më të madh në Shqipëri, gjatë netëve kur ai ngjit tarracën e fakultetit për të parë yjet. Mjafton ta gërmosh pak, dhe kaq mjafton që Heraldi të mos pushojë më së foluri për yjësinë dhe vëzhgimet që kryen së bashku me amatorët e tjerë.
"Ky teleskop mund të shikojë deri në magnitudën 13. Unë kam parë se me 4-5 inç, me gjysmën e këtij teleskopi, po të jesh në majë të malit, e zëmë në Dajt, shikohen të gjitha galaktikat". Heraldi na dëften se zonat malore janë edhe vendet më të mira për të parë yjet. Dy vite më parë, ai dhe shokët e tij kanë bërë një studim mbi kthjelltësinë e qiellit, ku ka rezultuar se pjesa më e mirë për të bërë vëzhgime në kryeqytet, ka rezultuar të jetë mali i Dajtit dhe zona pranë Vorës. "Zonat më të mira për të bërë vëzhgime yjore, janë ato larg qyteteve, ku të mos ketë shumë drita, pasi dritat e qyteteve e verbojnë qiellin. E dyta, është që qielli të jetë sa më pak i lagësht. Për shembull, qielli më i mirë është pasi ka rënë shi dhe ka marrë të gjitha pluhurat me vete",- shpjegon Heraldi, ndërsa na kujton se për rangun e teleskopit shqiptar, mundësia më e mirë e vëzhgimit është larg qyteteve. Sa për pozicionet e yjeve, djaloshi na thotë se edhe kjo kërkon sy të përgatitur. Ai na dëften se, për të parë yjet, duhet të dish pozicionet ku ata ndodhen dhe se çfarë kërkon të shikosh
"Yjet e dobëta i shikon deri në magnitudën 17. Për të parë yjet, duhet të dish pozicionet e tyre dhe çfarë kërkon të shikosh me saktësi. Kur e shikon me sy galaktikën, pamjet duken njolla-njolla. Nëse ti nuk e di këtë, atëherë nuk e dallon. Pra, shkurt, duhet të dish se ku janë si vend",- thotë 25-vjeçari
Teleskopi që disponon katedra e Astrofizikës në Tiranë, është shumë më i vogël se ata që rëndom vihen në vihen në majat e maleve të Kilit apo ishujve Havai. Diametri i pasqyrës së këtij teleskopi është 20 cm, e krahasuar me homologët e tij që merren me zbulime, është si të vesh në kandar pulën me buallin. Profesoreshë Mimoza na thotë se vëzhgimet e para yjore në Shqipëri kanë filluar diku në fund të viteve 90'. Por paçka se në pamje të parë teleskopi ynë mund të duket i vogël, në krahasim me të tjerët, në netët me kohë të mirë ai mund të shikojë qartësisht deri në 11 milionë vite dritë. Dy vite më parë, me këtë teleskop është parë edhe transiti i Afërditës dhe Mërkurit. Po kështu, me këtë teleskop është parë edhe Marsi, në momentin kur ai ishte në distancën më të afërt me Tokën. "Ky është një teleskop shkencor i rangut universitar, mjaft i mirë, me pasqyrë me diametër 20 cm. Me këtë teleskop ne kemi vrojtuar mjaft galaksi, unaza, mjegullnaja. Në tarracën e fakultetit, kur qielli është i pastër, pasi këtu përgjithësisht qielli është i keq, kemi parë dy galaksi pranë Arushës së Madhe, M80 dhe M81. Para dy vjetësh, kemi asistuar edhe në transitin e Afërditës dhe Mërkurit. Këto janë eklipse ku diametrat e Afërditës dhe Mërkurit nuk janë në gjendje të mbulojnë diametrin e Diellit, sepse janë të vegjël. Ato duken si buburreca të vegjël dhe transiti zgjat ku ato kalojnë në sipërfaqe, zgjat disa orë. Këto janë momente ku pasionantët parapërgatiten, kush e kap çastin e parë. Po kështu para ca vitesh kemi parë edhe Marsin, në distancën më të afërt me Tokën. Gjithashtu kemi parë edhe kometa". Për profesoreshë Mimozën, kometat janë tejet interesante. Këto objekte paraqesin interes edhe për vizitorët, të cilët kanë dëgjuar mbi historitë e këtyre trupave qiellorë vetëm në televizion. Por ajo që i ka lënë më shumë përshtypje astrofizikanes Hafizi, ka qenë shikimi për herë të parë nga pranë i unazave të Saturnit dhe Jupiterit. Sa herë që është kohë e mirë, profesoresha, e cila është njëkohësisht edhe shefe e katedrës së Astrofizikës, gjen mundësinë që së bashku me studentët dhe dashamirësit e yjësisë të kryejë vëzhgime kolektive me teleskop. "Duhet të kuptojmë diçka, që edhe kaq vëzhgime sa bëjmë, janë përtej mundësive që ne kemi. Në Shqipëri nuk është se ka shumë mbështetje për vëzhgimet yjore. Përgjithësisht, dega e Astrofizikës në vendin tonë, është teorike, pra nuk jemi vrojtues të mirëfilltë. Edhe kaq sa bëjmë e bëjmë për hatër të studentëve. Edhe në teleskopët më të fuqishëm në botë, është e vështirë të bësh vrojtime, pasi duhet të derdhësh kontribute. Pra, ky teleskop që kemi ne është më shumë për të hapur horizontin". Profesoreshë Mimoza na shpjegon se, për të bërë shpenzime të mëdha në fushën e vrojtimeve, duhet të kesh staf të specializuar astrofizikantësh. Në një të ardhme, ajo beson se ky grusht astrofizikantësh do të jetë i mundur për t'u grumbulluar. Deri atëherë, ndoshta pse jo, Shqipëria do të ketë observatorin e saj modest të vëzhgimeve yjore, dhe ku i dihet, ndonjëherë mund të kemi rastin të jemi dëshmitarë okularë të fenomeneve yjore që ndodhin në galaksitë miliona vite dritë larg nesh.