Lehtësia e papërballueshme e akuzave të Kryeministrit
Teleshikuesit panë javën e kaluar në një emision televiziv Kryeministrin të lëshojë akuza pa hesap në adresë të dy njerëzve të politikës e medias, me një egërsi e mllef, që më së paku duhet t'i kenë lënë një shije të keqe të gjithë atyre që e dëgjuan.
Ajo që i dha shkas shpërthimit të Kryeministrit qe një pyetje në lidhje me pretendimin e gazetarit Andi Bushati se ai zotëron dokumente, të cilat provojnë se kryeministri kishte qenë në dijeni të asaj që po ndodhte në Gërdec shumë kohë para se të ndodhte tragjedia; një pretendim që normalisht e ve zotin Berisha në një situatë edhe më të vështirë e të pamundur se ajo ku ndodhet tani e që për më tepër i bën të besueshëm zërat që qarkullojnë për një përfshirje goxha më të drejtpërdrejtë të tij në atë që është pa diskutim afera korruptive më e turpshme dhe tragjike në historinë e tranzicionit shqiptar.
Normalisht që përballë akuzave apo aludimeve të tilla, edhe kryeministri, ashtu si çdo qytetar tjetër i këtij vendi, ka të drejtë të thotë të vetën, të përgënjeshtrojë fjalët, apo në rastin më ekstrem, të ndjekë edhe rrugën ligjore. Por, është e papranueshme që kryeministri t'i përgjigjet pyetjes në lidhje me këto akuza duke thënë një mijë e një të zeza për gazetarët e për mediat, me një gjuhë që ndoshta është normale për një politikan të tipit Robert Mugabe, por kurrsesi për liderin e një vendi që i ka vënë vetes si synim integrimin në strukturat Euro-Atlantike, (siç ia vuri me të drejtë në dukje edhe njëri ndër pjesëmarrësit në emision). Sepse, si zor të përfytyrosh cilindo kryeministër apo president, apo qoftë dhe politikan dosido, në një vend demokratik, që të flasë për një gazetar me shprehje të tipit "i është bërë fytyra si këpucët e Fredit" apo "të nxjerrë dokumentin, ose të pështyjë mbi surratin e tij"!
Por ironia e të gjithë kësaj - që si zor t'i ketë shpëtuar zotit Berisha - përmblidhet fare bukur në atë shprehjen që thotë se, "ç'të mbjellësh, do të korrësh". Gjatë gjithë karrierës së tij politike zoti Berisha ka treguar, pa lënë hije dyshimi, se edhe pse përfaqësues i një populli që ka kultin e fjalës së dhënë - apo ku të vrasin për një fjalë goje - ai ka një raport çuditërisht shpërfillës e të papërgjegjshëm me fjalët që thotë. Mjafton të kujtojmë këtu akuzat e pafundme që ka lëshuar ai ndër vite, në adresë të kundërshtarëve të tij; apo të imagjinojmë për një moment të vetëm se si do të kishte reaguar zoti Berisha sikur tragjedia e Gërdecit të kishte ndodhur gjatë qeverisjes së socialisteve. Ruajna Zot!
Në fakt, nuk është fare nevoja të shkojmë aq larg. Vetëm pak minuta përpara shpërthimit të tij të indinjuar ndaj mediave, të cilat na e viktimizuakan atë pa të drejtë, Kryeministri pa iu dridhur qerpiku akuzoi z.Blushi se ia paskërka vjedhur romanin gjyshit! Dhe kur kryeministri i vendit i lejon vetes liri të tilla për të folur ç't'i vijë për mbarë, tingëllon më së paku hipokrite që pastaj të akuzojë median si të korruptuar e gazetarët si lule mos më prek.
Megjithatë ky emision tregoi dhe diçka tjetër, që tashmë shumëkush e ndjen: zoti Berisha nuk është më ai i pari dhe qëndrimit të tij në pushtet duket sikur i ka filluar numërimi së prapthi. I zhveshur nga autoriteti i njeriut të plotfuqishëm, shpërthimet e z.Berisha tanimë duken thjesht patetike, kënga e mjellmës e një udhëheqësi par excellence turmash dhe një populisti që duket sikur s'e ka kuptuar akoma se revolucioni ka mbaruar dhe se Shqipëria nuk është më ajo e viteve '90.