E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë nga Kruja për Tiranën, arrestohet familja



Artan CENA
TIRANË - Shkatërrohet grupi që furnizonte me lëndë narkotike Tiranën. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga katër persona, ndërkohë që ka sekuestruar sasinë prej 25 kilogramësh Cannabis sativa. Operacioni është koduar me emrin “Terreni i vështirë” për shkak të rrugës që ndiqnin katër të ndaluarit, nga Kruja për në Tiranë, ku më pas shisnin lëndën narkotike. Burime zyrtare kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se lënda narkotike e kishte burimin pikërisht nga rrethi kufitar i kryeqytetit, Krujë. Aksioni i shkatërrimit të këtij grupi është bërë nga efektivët e Sektorit të Luftës Kundër Narkotikeve në bashkëpunim me uniformat blu të Komisariatit Nr. 5, si dhe me Njësinë e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Këta të fundit bënë të mundur sekuestrimin e një sasie prej 25 kilogramësh të lëndës narkotike e dyshuar si Cannabis sativa. Katër të arrestuarit: Zeqir Karaj, 46 vjeç, nga fshati Mafsheq, Krujë; Kujtim Murati, 19 vjeç, nga Kamza, Tiranë; Idajet Karaj, 20 vjeç dhe Meslim Karaj, 19 vjeç, të dy nga fshati Mafsheq, Krujë, janë vënë në pranga si përdorues dhe transportues të lëndës narkotike.
Hetimet
Katër muaj më parë policia kishte nisur hetimet ndaj këtij rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike. Të dyshuarit ishin mbajtur në vëzhgim dhe ishin ndjekur në aktivitetin e tyre gjatë ditëve të ndryshme. Fillimisht policia kishte marrë informacione në rrugë operative në lidhje me aktivitetin e të arrestuarve. Pas disa hetimeve ishte zbuluar se ata merrnin lëndë narkotike në Krujë dhe e sillnin në Tiranë duke përdorur rrugë dytësore nëpër fshatra. Burimet zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit kanë bërë të ditur se, katër të dyshuarit janë vënë në pranga gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e djeshme, në vendin e quajtur Zall-Herr, pranë urës së Bovillës. Ata janë ndaluar dhe policia ka ushtruar një kontroll në automjetin tip fuoristradë “Nissan” me targë KR 6415 A. Pikërisht gjatë kontrollit është sekuestruar dhe sasia prej 25 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa. Prejardhja e lëndës narkotike ishte qyteti i Krujës, me destinacion tregun e shitjes në Kamzë e Tiranë. Për të ushtruar këtë aktivitet kriminal, të arrestuarit, të së njëjtës familje, Zeqir, Idajet dhe Meslim Karaj, ia sillnin nga Kruja të arrestuarit të katërt, Kujtim Murati, në Kamzë.
Rruga
Të arrestuarit, për të mbërritur në Kamzë, Tiranë, me synim për t’iu shmangur shërbimeve të policisë, kalonin në një terren të vështirë buzë malit përmes fshatrave Noj, Bruz, Curril deri në Urën e Bovillës, ku janë vënë në pranga në flagrancë. Pasi janë prangosur, policia tha se si prova materiale katër personave të mësipërm u është sekuestruar sasia prej 25 kilogramësh Cannabis, një peshore që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, si dhe automjeti tip fuoristradë “Nissan”. “Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, - tha Policia e kryeqytetit.

21 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›