Pranga transportuesve të 3.6 kg heroinë
DURRËS - Një sasi prej 3 kg e 690 gramësh heroinë është sekuestruar nga Antidroga në Durrës gjatë mëngjesit të djeshëm. Aksioni është bërë nga efektivët e Policisë së Durrësit dhe në pranga janë vënë dy persona, një fierak dhe një shkodran. Burime zyrtare nga uniformat blu të qytetit bregdetar kanë bërë të ditur dje se kanë sekuestruar lëndën narkotike në një automjet me targa FR 5092 C afër mbikalimit në “Plepa”, ndërsa ka prangosur dy persona si korrierë të drogës. Siç mësohet nga burime policore, droga vinte nga Fieri në drejtim të Tiranës, ku do të shitej më pas për shpërndarësit dhe përdoruesit. Aksioni është bërë rreth orës 7:30. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave” në Durrës, është bërë kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i Idriz Manejt, 55 vjeç, lindur e banues në Shkodër, i dënuar më parë me 3 vjet burg për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri dhe Maliq Ibraj, 58 vjeç, banues në Patos Fier, i padënuar më parë. Vënia në pranga e tyre është bërë pasi gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz” me targa FR 5092 C, i drejtuar nga Ibraj dhe ku si pasagjer udhëtonte dhe Manej, këtij të fundit i është gjetur një çantë kartoni brenda së cilës ndodheshin 6 pako me lëndë të bardhë, me peshë totale prej 3 kilogramësh e 693 gramësh, e cila dyshohet të jetë heroinë. Menjëherë është bërë shoqërimi i tyre për në polici, ndërkohë që është bërë një tjetër kontroll në makinë, por nuk është gjetur sasi tjetër lënde narkotike. Burime policore thanë se, përveç zbulimit të faktit që lënda narkotike kishte prejardhjen nga Fieri me destinacion kryeqytetin, po punohet për të zbuluar bashkëpunëtorët e të arrestuarve. Pasi ka përfunduar hetimi ndaj dy të ndaluarve është përgatitur dhe dosja që i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Durrës për akuzën e “prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”.
Anti-Cannabisi
Policia, patrulla me tri turne në fshatin Lazarat
Lufta ndaj kultivimit të lëndëve narkotike ka bërë që funksionarët e Policisë së Gjirokastrës dhe të pushtetit vendor të bëjnë takime sensibilizuese në të gjitha fshatrat e qarkut. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar dhe takimi i radhës në qendrën e komunës Lunxhëri, Gjirokastër. Aty është zhvilluar një mbledhje me përfaqësues të komunës Lunxhëri, kryepleqtë e fshatrave të kësaj komune dhe me mësuesit e nxënësit e shkollës 9-vjeçare. Takimi është zhvilluar në ambientet e shkollës 9-vjeçare të kësaj komune, ku kryetari i komunës Lunxhëri Ilia Kuro, gjatë fjalës së tij ka theksuar se fatkeqësisht komuna që ai drejton, figuron në hartën e kultivimit të bimëve narkotike për shkak se vitet e kaluara janë evidentuar dhe goditur nga policia disa raste të kultivimit të bimëve narkotike. Sipas tij, droga është mbjellë në banesat ku të zotët e banesave ishin me banim të përkohshëm në Greqi dhe në bahçet e këtyre ishin kultivuar nga persona të tjerë me bimë narkotike pa dijeninë e pronarëve të tokave. Ai ka theksuar se tashmë banorët e kësaj komune kanë filluar të kultivojnë pemë frutore si ullinj, falë një projekti të mbështetur nga qeveria shqiptare. Më tej Kuro ka kërkuar më shumë bashkëpunim për të parandaluar dhe goditur edhe fenomene të tjera si raste të vjedhjes së pronës. Më pas zv.drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Adriatik Tafçiu, ka theksuar se parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike do të arrihet me çdo çmim, me çdo kosto dhe mundësi. Policia e Gjirokastrës, me patrullat e përgjithshme po patrullon në çdo cep të qarkut, përfshi këtu edhe fshatin Lazarat, ku prej disa ditësh patrulla të përgjithshme të Policisë së Gjirokastrës po patrullojnë me tre turne edhe në fshatin Lazarat në të gjithë territorin e këtij fshati me uniformë policie dhe me mjete logjistike policie.
Shkatërrohet organizata italo-shqiptare
ROMË - Policia italiane ka shkatërruar një organizatë italo-shqiptare të trafikut të drogës gjatë ekzekutimit të 12 fletë-arresteve gjatë mëngjesit të djeshëm. Lajmi është bërë i ditur nga mediat e shtetit fqinj. Sipas tyre, banda vepronte që nga viti 2005 dhe në përbërje të saj ishin qytetarë italianë, shqiptarë dhe afrikanë. Përveç shpërndarjes dhe shitjes së drogës në Itali, grupi kriminal është akuzuar edhe për kontrabandimin e sasive të mëdha të drogës në Itali nga vendet fqinje. Hetues të policisë thanë se anëtarët e bandës së arrestuar kanë vepruar me shpërndarjen e drogës në zonën bregdetare mes Venetos, Trevisos dhe Bergamos. Gjatë aksionit policia aktivizoi qindra forca për kapjen e të kërkuarve, si dhe njësitë e qenve antidrogë dhe një helikopter. Operacioni, i kryer nga Njësia Operative e Policisë, është i koordinuar nga prokurori George Gava e prokurorit Publik në Gjykatën e Venedikut.
21 Prill 2010