Infeksionet e veshit, pse shkaktohen dhe si duhen trajtuar
Infeksionet e veshit janë të pranishme jo vetëm tek të vegjlit, por edhe tek të rriturit. Kjo vjen si pasojë e pakujdesive, në rastet kur diçka edhe sado e vogël qoftë lë pasoja në shëndetin tuaj. Shkak për shfaqjen e infeksionit të veshit është edhe në larja në ujin e papastër në det apo edhe në pishina. Edhe pse në fillim mund të vihen re komlikacione të lehta, mos trajtimi i tyre mund të bëhet shkak i infeksioneve të tjera që mund të kalojnë nga veshi në organe të tjera. Prandaj efektet e këtij infeksioni në shëndet mund të jenë tepër të rënda.
Infeksionet
Një nga këto infeksione është krijimi i mykut në vesh, si një pezmatim i këtij organi. Pjesa më e madhe e këtyre komplikacioneve, shfaqen si pasojë e mbledhjes së mikrobeve të ndryshme në zona të caktuara të kanalit të veshit në pjesën e jashtme. Të gjitha këto shkaktohen nga lagështia e tepërt, e pasur me mikrobe që hyjnë në vesh. Shqetësuese gjendja mbetet sidomos për ata persona të cilët frekuentojnë pishinat, ku këto të fundit janë dhe më të rrezikshme në këtë drejtim. Shfaqja e kësaj sëmundjeje mund të kapet shumë lehtë që në fazat e saj fillestare, sepse shfaqet që në fillim me simptoma të dukshme. Në këto kushte janë shumë të pakta rastet kur mund të jetë krijuar myku në kanalin e veshit dhe të mos kuptohet shpejt nga pacienti. Kjo, pasi mbledhja e infeksionit në zona të caktuara, duke bllokuar kanalin e veshit bën që të shfaqen menjëherë dhimbje të forta të veshit. Dhimbje të cilat vijnë duke u shtuar gradualisht dhe nëse lihen pa trajtuar, atëherë mund të kalojnë dhe në infeksione të formës së rëndë, të cilat duan një kujdes shumë të veçantë trajtimi. Pacienti ndjen një zhurmë si gumëzhitje e cila shtohet gjithnjë e më tepër. Po ashtu fillon edhe kruarja e veshit, si dhe shtimi i sekrecioneve të lëngëta që mbajnë erë të keqe dhe të rëndë.
Trajtimi
Trajtimi i sëmundjes bëhet në forma të ndryshme në varësi të ecurisë së saj dhe në bazë të veçorive individuale të çdo pacienti. Mjeku specialist, pas kontrollit të imtësishëm që bën ndaj simptomave të shfaqura, përcakton dhe diagnozën trajtuese të kësaj sëmundjeje. Kështu, trajtimi fillimisht mund të konsistojë në pastrimin apo bërjen lavazh të kanalit të veshit dhe kjo ndihmon në heqjen dhe shpërndarjen e grumbullit të infeksionit të mbledhur në zona të caktuara. Si dhe nëpërmjet një fitili, deri në mesin e veshit, arrihet që të shpërndahet i gjithë pezmatimi i mbledhur. Njëkohësisht bëhet dhe trajtimi mjekësor në të cilin hidhen antibiotikët në vesh për të trajtuar dhe kuruar zonën në të cilën më parë ishte mbledhur pezmatimi dhe që kishin çuar në ënjtjen e veshit. Dhënia e ilaçeve është e ndryshme për pacientë të ndryshëm në varësi të sëmundjes. Ndërkohë që kur ato nuk japin efekt në përmirësimin e gjendjes, atëherë kërkohet ndërhyrja kirurgjikale. Është e rëndësishme që të shmanget marrja e ilaçeve qetësuese vetë në farmaci, pa rekomandim, sepse ato nuk ndikojnë në përmirësimin e situatës, vetëm sa mund ta rëndojnë dhe më shumë.
Myku i veshit
Që të gjitha moshat preken nga otitet mykotike, myku i veshit. Mjafton që të ekspozohet veshi ndaj faktorëve shkaktues dhe askush nuk mund të shpëtojë nga krijimi i mykut në këtë pjesë të veshit. Por ajo që është më problematike në këtë rast mbetet gjendja te fëmijët të cilët janë dhe më delikatë. Këta të fundit, për shkak të imunitetit të dobët trupor, e kanë shumë të vështirë që të përballojnë simptomat dhe efektet negative që mund të lërë kjo sëmundje. Pothuajse e njëjta gjë mund të thuhet dhe për personat e moshës të tretë, të cilët mund të vuajnë njëlloj nga këto simptoma, ndaj është shumë e rëndësishme që të bëhet kujdes nga faktorët shkaktues. Eliminimi i faktorëve shkaktues është dhe një ndër kurat më të mira që duhet për trajtimin e mykut të krijuar në vesh. Dhimbjet e veshit në pjesën më të madhe të rasteve vijnë si pasojë e pezmatimit të kanalit të jashtëm të veshit, që në pjesën më të madhe të rasteve shkaktohen nga lagështia. Krijimi i lagështisë së tepërt në vesh mund të bëhet shkak për dëmtimin e pjesëve të këtij organi dhe kryesisht ato të shtresave të mesme. Ndërkohë që kjo lagështi e mbledhur në zonën që njihet ndryshe si kanali i mesëm i veshit, mund të kalojë në një infeksion të një forme më të rëndë dhe për pasojë të arrijë deri në atë pikë sa të dëmtojë aftësinë e dëgjimit. Ndërsa bërja e vizitave te mjeku përkatës sa më shpejt që të jetë e mundur, mund të ndihmojë në eliminimin dhe në trajtimin e infeksioneve pa kaluar në një gjendje më të rënduar. Krijimi i këtyre infeksioneve vjen si pasojë e kombinimit të disa faktorëve, qoftë atmosferikë. Mund të jetë shumë e rrezikshme, pasi ndikon dhe në organet e tjera të trupit. Kështu infeksioni mykotik mund të kalojë dhe në pjesët e brendshme të veshit, duke e thelluar dhe më shumë shfaqjen e infeksionit dhe si e tillë do të shfaqen komplikacione të tjera që lidhen me receptorët e nervorë si dhe me bllokim të kanalit të hundëve apo dhimbje koke. Ndërkohë që ato shoqërohen dhe me rritjen e temperaturës dhe ënjtjen e veshit dhe krijimin e një pezmatimi të rëndë. Kalimi i infeksionit mund të bëhet dhe në pjesë të tjera të organizmit, pasi një temperaturë e lartë shfaq probleme të shumta. Eliminimi i faktorëve shkaktues mund të ndikojë dhe në shmangien e pasojave të rënda që lë infeksioni i mbledhur në kanalin e veshit.
Problemet me dëgjimin, shenjat e para që shfaqen
Problemi mund të fillojë me një zhurmë në vesh. Me një ndjenjë rëndese, sikur ka ujë në vesh, sikur ka shkumë sapuni. Por kjo mund të shoqërohet edhe me një bllokim të hundës apo infeksion të grykës. Ndonjëherë kjo ndjesi mbetet në këto stade, por ka raste kur shkohet në ekstreme. Por edhe kur janë këto ndjesi përsëri pacienti ka pasoja, sepse mbetet membrana pak e tërhequr, lindin probleme në vesh, të cilat gradualisht mund të sjellin edhe ulje të dëgjimit, si dhe krijojnë gjendje të papëlqyeshme, duke u shoqëruar me zhurma. Këto janë shenjat e para që mund të hasen tek personat që kanë probleme me aparatin e dëgjimit.
Sipas mjekëve, disa prej pacientëve i neglizhojnë dhe disa të tjerë kërkojnë ndihmë mjekësore. Por, në rastet kur shfaqet dhimbja e madhe, atëherë kuptohet që infeksioni ka arritur kulmin. Mjekët pohojnë se nga eksperienca ka rezultuar, se pacientët kanë pasur infeksione edhe të kockës apo të trurit. Ndërsa tani, këto raste janë shumë të pakta, pasi pacientët janë më të ndërgjegjshëm dhe drejtohen tek mjeku sapo ndiejnë një shqetësim të vogël.
Grupmoshat që preken më shumë nga problemet
Moshat e vogla, sidomos fëmijët janë më të prekur janë personat më të prekur nga problemet e veshit. Tubi që lidh hundën me veshin tek fëmijët është më i shkurtër dhe më i gjerë. Duke qenë se fëmijët, në të shumtën e kohës qëndrojnë shtrirë, favorizojnë këtë problem, pra që infeksioni të kalojë shumë më shpejt nga hunda në vesh. Po kështu, shpeshherë tek fëmijët gjendet edhe “mishi i huaj”, siç i themi në gjuhën popullore, që është pengesë. Kjo bëhet edhe më e rrezikshme në rast infeksioni, sepse rrit volumin dhe pengon kalueshmërinë. Kurse në moshat më të mëdha hasen më shumë dëmtimet kockore, sidomos të perdes së hundës (që e ndan në dy pjesë). Kjo mund të jetë e njëanshme ose e dyanshme dhe krijon probleme sepse bllokon dhe rrit infeksionin. Pastaj janë shkaqe të tjera, të cilat nisin nga bllokimi i hundës, që vijnë nga mikrobet, pluhurat e punës apo edhe pluhurat e rrugëve. Këshillat për të “shpëtuar” veshin nga rikthimi i infeksionit janë të ngjashme me ato të një gripi. Kështu, ndër të parat do të ishte kujdesi nga viruset, të cilët kapin rrugët e frymëmarrjes, që shpesh janë shkaktarët kryesorë të një infeksioni në vesh. Gjithsecili duhet të ruhet nga i ftohti, nga ambienti ku ka grumbullime kolektive, pasi mund të qarkullojnë viruse të ndryshme. Kërkohet një higjienë e mirë. Po kështu, pacientët mund të përdorin edhe shpëlarjen e hundëve me ujë të kripur, i cili e pastron atë nga papastërtitë. Këshillohet dhe përdorimi i disa medikamenteve, të cilat lirojnë hundët. Ndërsa për rastet kur infeksioni dhe sëmundja ka përparuar, atëherë është e nevojshme që të merret këshilla e mjekut. Po kështu, është e këshillueshme që medikamentet të përdoren sipas këshillave të mjekëve. Ndërsa në praktikën e përditshme këshillohet edhe kryerja e avujve dhe e kompresave të ngrohta.
21 Prill 2010