Mësimdhënia, trajnim për mësuesit kosovarë
Plot 16 mësues të shkollave 9-vjeçare nga Malisheva dhe 15 të tjerë nga aktivistët e stafit të veprimtarive që organizon Kisha Orthodhokse e Shqipërisë në Kosovë, morën pjesë në seminarin me karakter trajnues "Metodat bashkëkohore të mësimdhënies" me lektore Ann Braynt, mësuese amerikane me 30 vjet eksperiencë dhe kaulifikime të ndryshme në arsim. Fjalën përshëndetëse të fillimit të seminarit, e mbajti Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, i cili shprehu dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme. Disa nga tematikat e trajnimit ishin rreth organizimit të mësimit në një klasë ku përdoren shumë shqisa, sepse në bazë të kërkimeve të fundit është parë se nxënësit mësojnë në mënyra të ndryshme. Në klasë duhet të përdoren metodat dëgjimore, vizuale dhe kinestetike. Përdorimi i hartave ose skicave në bazë të një funksioni logjik gjatë orës së mësimit janë mjete nëpërmjet të cilave mësimi mund të përmbajë të tre metodat e sipërpërmendura, kjo në mënyrë që nxënësit të mësojnë në mënyrë aktive. "Kjo është një përpjekje nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë për të dhënë ndihmesën e saj në rritjen e nivelit të arsimimit në Kosovë. Pjesëmarrësit nuk janë vetëm mësues, por edhe miqtë tanë më të mirë, me të cilët kemi bashkëpunuar në Kosovë dhe është gëzim që jemi të gjithë bashkë në Shqipëri", theksoi drejtuesi i këtij aktiviteti Nathan Hoppe.