E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS miratohen kriteret për listat e deputetëve

 

Aristir Lumezi

Socialistët nisin fazën finale të hartimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 qershorit. Asambleja Kombëtare e socialistëve, e mbledhur dje, miratoi parimet dhe kriteret që duhet të përcaktojnë kandidatët socialistë për deputetë. Brenda pesë ditëve, duke filluar që sot, nga data 9-14 maj, në të gjitha qarqet do të bëhen propozimet për kandidatët në drejtimin e të deleguarit të kryesisë socialiste. Mbledhja e djeshme e asamblesë kombëtare caktoi datën 16 maj për të mbledhur Konferencën Kombëtare për Programin, në të cilët do të paraqitet në mënyrë sintetike programi qeverisës i PS-së, sipas shtyllave bazë të prezantuara dhe më parë nga kryetari socialist Edi Rama. Po dje, socialistët paraqitën edhe sloganin e ri i cili do të përdoret gjatë fushatës, “Politikë e Re për Ndryshim”. Një nga pikat e mbledhjes së djeshme të asamblesë ishte dhe mandatimi prej saj i kryetarit socialist, për të nënshkruar marrëveshjet e koalicionit parazgjedhor me të gjitha forcat politike që do t’i bashkangjiten këtij koalicioni. Duke u fokusuar te lista e kandidatëve për deputetë, asambleja socialiste miratoi parimin sipas të cilit do të jenë strukturat e PS-së, delegatët e kongresit të PS dhe anëtarët e Këshillit Socialist të Qarkut që do të japin propozimet për kandidaturat. “Kandidaturat e propozuara do të jenë nga anëtarësia e PSSH-së, nga përkrahësit e partisë dhe nga shoqëria civile, përmes Bordit të Qytetarëve”, thuhet në një nga parimet e miratuara dje në asamblenë socialiste. Asambleja bëri dje dhe një ndarje të anëtarëve të kryesisë, që do të marrin pjesë në këtë proces të shpejtë konsultimesh për të përcaktuar kandidatët për deputetë.
“Takimet dhe konsultimet për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve sipas rretheve zhvillohen nën drejtimin e anëtarit të Kryesisë së PSSH, të ngarkuar për qarkun përkatës.
Si rregull nuk mund të jenë kandidatë për deputetë, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste”, thuhet në vendimin e asamblesë. Por forumi më i lartë i socialistëve ia ka lënë atribut të kryetarit socialist konsultimin dhe përcaktimin në listat e kandidatëve të deputetëve aktualë të grupit parlamentar socialist. “Nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë të listës së kandidatëve për deputetë, deputetët aktualë të GPS”, thuhet në udhëzimin e asamblesë kombëtare. Gjithashtu, anëtarët e saj, miratuan dhe parimin sipas të cilit në listat për kandidatë, nuk do të ketë drejtues të PS por dhe të pushtetit vendor, duke hequr çdo shpresë të atyre drejtuesve lokalë apo kryetarë bashkish dhe komunash që pretendonin të kishin një vend në listat socialiste për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. “Si rregull nuk mund të jenë kandidatë për deputetë, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste”, citohet në një nga përkufizimet e miratuara dje në asamble. Në fund të këtij procesi blic, i cili pritet të përfundojë deri në mesin e javës së ardhshme, do të jetë Kryetari i PS-së dhe kryesia që do të finalizojë listën e ekipit të PS që do të hyjë në garën e 28 qershorit. “Kryetari dhe anëtari i Kryesisë së PSSH i ngarkuar për qarkun, zhvillojnë konsultime të veçanta për tërheqjen e mendimit për kandidaturat për deputetë për qarkun përkatës, me Bordet e Dialogut Qytetar të Qarkut, me grupe interesi si dhe me organizatat e shoqatat me afërsi programore me partinë”, vendosi dje asambleja kombëtare. Gjithashtu po dje u përcaktuan edhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për deputetë.

Procedurat e perzgjedhjes se kandidaturave per deputete

    Takimet dhe konsultimet për tërheqjen e mendimit të strukturave të partisë për kandidaturat potenciale do të organizohen në bazë rrethi.

    Në këto takime dhe konsultime do të marrin pjesë, delegatët e Kongresit të PSSH, anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PSSH në rrethin përkatës dhe anëtarët e KS të rrethit

    Takimet dhe konsultimet për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve sipas rretheve zhvillohen nën drejtimin e anëtarit të Kryesisë së PSSH të ngarkuar për qarkun përkatës

    Si rregull nuk mund të jenë kandidatë për deputetë, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste;

    Nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë të listës së kandidatëve për deputetë, deputetët aktualë të PS

    Asambleja Kombëtare ngarkon Kryetarin e Partisë të finalizojë konsultimet me drejtues të strukturave të partisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile

    Takimet e konsultimet me strukturat e partisë zhvillohen sipas një grafiku të caktuar në periudhën nga 9-14 maj 2009

    Kryetari dhe anëtari i Kryesisë së PSSH i ngarkuar për qarkun, zhvillojnë konsultime të veçanta për tërheqjen e mendimit për kandidaturat për deputetë për qarkun përkatës, me Bordet e Dialogut Qytetar të Qarkut, me grupe interesi si dhe me organizatat e shoqatat me afërsi programore me partinë

    Kryesia miraton listat përfaqësuese përfundimtare rajonale me kandidatët për deputetë

Apel emigrantëve për të votuar

Kreu socialist i bëri dje thirrje emigrantëve shqiptarë të vijnë në Shqipëri për të votuar. “Një apel të gjithë shqiptarëve e shqiptareve në emigracion, që sigurisht në rast se do të vijnë, kjo do të jetë më e mira, por do të jetë po ashtu diçka e shkëlqyer për demokracinë dhe për fuqinë e vendimmarrjes të 28 qershorit në rast se secili prej tyre do të kapi telefonin dhe do të bëj qoftë dhe një mesazh të vetëm, për familjen, për të afërmit, për miqtë, për t’i nxitur drejt kutive të votimit. Për të kërkuar prej atyre që janë këtu që të shprehin vullnetin edhe për ata që s’janë”, tha Rama. Kreu socialist u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, emigrantëve do tu sigurohet e drejta e votës në vendet ku punojnë dhe jetojnë.

Rama: Në këtë fazë kërkohet një solidaritet i jashtëzakonshëm

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nënvizoi dje në hapje të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare socialiste domosdoshmërinë për të çuar mesazhin e ndryshimit dhe të shpresës në çdo shtëpi dhe për të përthyer atë në votë për socialistët. “Theksoj edhe domosdoshmërinë e një solidariteti të jashtëzakonshëm në këtë fazë të fundit të përpjekjes sonë, një solidariteti që duhet të karakterizojë të gjithë përpjekjen tonë të përbashkët, të një solidariteti që duhet të jetë mishërimi i vetëdijes sonë, se jemi këtu për të përfaqësuar njerëzit. Ky solidaritet duhet të përshkojë të gjithë pjesën e mbetur të procesit për përcaktimin e skuadrave përfaqësuese të Partisë Socialiste në të gjithë qarqet e vendit” u shpreh kryesocialisti Rama. Më tej Rama shtoi, “ne nuk jemi në këtë betejë për të ndërruar një Kryeministër me një tjetër, për të ndërruar disa ministra me disa ministra të tjerë. Të ndryshojmë gjithçka që në këtë vend nuk ka ndryshuar thjesht dhe vetëm për shkak të politikës. Të bëjmë të mundura gjëra që padrejtësisht politika i ka bërë të pamundura”, tha Rama. Kreu socialist i bëri thirrje qytetarëve pa pasaportë të aplikojnë për karta identiteti. “Ajo që unë dua të nënvizoj, është se çdo qytetar e çdo qytetare duhet të aplikojë në rast se nuk e ka pasaportën dhe në rast se nuk ka aplikuar ende. Përpjekja jonë e cila solli uljen e konsiderueshme të taksës së votës, edhe pse nuk solli heqjen e plotë të saj, duhet të kurorëzohet me plotësimin e të gjithë listave të njerëzve pa pasaportë në pikat e aplikimit për kartë identiteti”, tha Rama. Sipas kreut socialist, qeveria e socialistëve që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit “do ta rimbursojë edhe këtë taksë vote të mbetur pas fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit”. “Sot është dita për të kërkuar me shumë këmbëngulje nga votuesit dhe votueset që janë në listat e zgjedhësve dhe që nuk kanë pasaportë, që të marrin kartën e identitetit, që të aplikojnë për kartën e identitetit, që ta marrin mundimin nganjëherë jo të vogël, për të lëvizur nga fshati i tyre drejt pikës së aplikimit dhe për t’u pajisur me kartën e identitetit”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›