Tunxh Vatnikaj në gjyq për tri akuza
TIRANE - Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë 7 personat e akuzuar për tjetërsimin e mijëra metër katrorë truall në "Plazhin e Gjeneralit", mes të cilëve edhe ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj. Burime zyrtare të gjykatës së kryeqytetit pohuan dje depozitimin në gjykatë të kërkesës për gjykim në ngarkim të Tunxh Vatnikajt, Alban Xhillarit, F. Gj., Ali Aliajt, Alma Shehut, Petrit Kullollit dhe Gjergji Hysos. Shorti elektronik përzgjodhi gjyqtarin Arben Micko, si kryesuesin e trupës që do të gjykojë këtë dosje. Sipas prokurorisë, mbi të pandehurit e dosjes rëndojnë akuzat e "falsifikimit të dokumenteve", "shpërdorimit të detyrës" dhe "mashtrimit me pasoja të rënda, mbetur në tentativë", vepra këto të kryera në bashkëpunim mes të pandehurve. Në ditët në vazhdim pritet të caktohet data e seancës kur shtatë të akuzuarit do të ulen para trupës gjykuese në procesin penal. Duke iu referuar kërkesës për gjykim të përgatitur nga Prokuroria e Tiranës, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë tentuar të tjetërsojnë pronësinë dhe të zhvendosin një sipërfaqe të konsiderueshme toke nga pranë "Plazhit të Gjeneralit" në Kavajë. Sipas organit të akuzës, "pazaret" janë bërë me sipërfaqe trualli në pronësi të familjes Shijaku. Sipas një marrëveshjeje mes familjes Shijaku dhe të pandehurit Xhillari, ky i fundit mund të blinte truall në pronësi të familjes nëse ai i ndihmonte ata për kthimin e pronave nga AKKP-ja. Pas disa kohësh një pjesëtar i familjes Shijaku mësoi se prona e tyre nga fshati Bago do të "udhëtonte" në fshatin Bardhore. Sipas prokurorisë, nga kreu i hipotekës Kavajë, F.Gj., janë falsifikuar faqe të regjistrit origjinal hipotekor të viteve 1933-'35, ku është spostuar sipërfaqja. Përfshirja e ish-kreut të AKKP-së, Vatnikaj, qëndron në faktin që ai ka pasur dijeni për veprimet e jashtëligjshme, pasi për prokurorinë rezulton se Vatnikaj disa herë ka kërkuar informacion për ecurinë e kësaj dosjeje. Hetimet nisën pas informacionit të marrë nga Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e cila konfirmoi se ka grumbulluar prova të mjaftueshme për të pandehurit. ar.ba
Të pandehur
Tunxh Vatnikaj
Alban Xhillari
Ali Aliaj
Petrit Kullolli
Gjergji Hyso
Alma Shehu