Gjukaj thotë se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje

Nga gjithsej 3804 ankesa të qytetarëve për faturat e janarit, janë shqyrtuar 3782. Nga ky numër, të aprovuara dhe pjesërisht të aprovuara janë 980 ankesa. Megjithëkëtë, thuhet se asnjë gabim nuk është bërë me qëllim.
Të aprovimi thuhet të ketë pasur të ngarkuara me vlerë shtesë, regjistrime të reja, përshkrim jo të saktë të gjendjes, ndërrim të njehsorëve, lexim jo të saktë të cilat kanë ndodhur në muajt paraprak, futje jo e saktë e të dhënave dhe kalibrim apo informata shtesë. Këto të dhëna i ka raportuar të hënë drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj.
Gjukaj ka thënë se pas gjithë analizave edhe pse ka pasur mbifaturim, ai nuk ka qenë i qëllimshëm pasi ato janë gjëra tereni, që nganjëherë janë të pashmangshme.
Kur ka folur për shkarkimin e katër menaxherëve në distriktin e Prishtinës, ka thënë se ata mund të ndodh që edhe të kthehen në punë, nëse nuk gjenden shkelje procedurale në raportin final, i cili KEK-ut i arrin të martën.
Sa i përket dorëheqjes së tij, ai ka thënë se atë mund ta kërkojnë vetëm ata që merren me biznesin e invertorëve dhe gjeneratorëve.
“Unë e kam menduar këtë çështje shumë mirë, duke e parë se rëndësinë e detyrës që kryejmë, duke e parë që i shërbejmë 450 mijë konsumatorëve, kemi shtatë palë të interesi ndërkombëtare dhe vendore, unë e kam menduar dhe mendojë se vetëm një grup interesi mund të kërkojë dorëheqjen time dhe ekipit tim, ata janë që merren me biznesin e invertorëve dhe gjeneratorëve”, ka thënë ai.
Gjukaj sërish u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që kanë ankesa që ato t’i dorëzojnë nëpër zyrat përkatëse për ankesa të KEK-ut në gjithë territorin e Kosovës.
Numri i ankesave për faturat e janarit kanë qenë 3804 ankesa, nga to 2512 në Prishtinë, 212 në Prizren, 349 në Pejë, 396 në Ferizaj, 108 në Gjilan, 77 në Gjakovë, 150 në Mitrovicë. Të shqyrtuara gjithsej 3782, nga të cilat të aprovuara dhe pjesërisht të aprovuara 980./Indeksonline/