E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjukanoviç: Opozita malazeze punon për kabinetin Tadic



Lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve malazezë(DPS), Milo Gjukanoviç, mendon se qëllimi i koalicionit opozitar të Malit të Zi, që është formuar në kabinetin e njërit prej këshilltarëve të Presidentit serb, Boris Tadiç, nuk është vetëm rrënimi i DPS, por edhe rishqyrtimi i Pavarësisë së Malit të Zi. “Ata janë një koalicion i krijuar në kabinetin e një këshilltari të Presidentit të Serbisë, me qëllim të rrënimit të DPS-së. Megjithëse këtë sot nuk e thonë, qëllimi i tyre është që të shkaktojnë rishqyrtimin e pavarësisë malazeze”, tha Kryeministri malazez, Gjukanoviç, gjatë një takimi pranë Podgoricës. Duke theksuar se lëvizjeve të deritanishme të opozitës nuk mund t’iu zihej besë, Gjukanoviç e akuzoi opozitën se po kërkon krijimin e kaosit, pasi interesi i saj nuk është një Mal i Zi më i mirë, por ardhja në pushtet me çdo kusht. “Të gjitha ato që kanë bërë deri tani, i bënë me qëllim që të mos ketë më Mal të Zi. Prandaj ata edhe tani, sipas instruksioneve që ju vijnë nga adresa në Beograd, ndihmohen me para dhe nëpërmjet një agjencie të marketingut, për arritjen e të njëjtës detyrë: rrënimin e Malit të Zi. Por këtë nuk do ta lejojmë”, theksoi Gjukanovic. Ndërkohë kabineti i Presidentit të Serbisë i demantoi ndërkohë pohimet e Kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç, për krijimin e koalicionit opozitar malazez në kabinetin e një këshilltari të Presidentit Tadiç, me qëllim të rrënimit të partisë malazeze në pushtet, DPS. “Kjo, një e pavërtetë absolute”, u tha nga Kabineti i Presidentit serb, Boris Tadiç. (Srna)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›