Papandreu: Dyshime se krizën e sollën bankat amerikane
Kryeministri i Greqisë, Jorgo Papandreu ka akuzuar bankat amerikane se kanë ndikuar në zmadhimin e krizës së borxhit financiar në vend, duke e çuar Greqinë në periudhën më të keqe ekonomike, që pas kohës së luftës. Ai paralajmëroi se Greqia mund të ndërmarrë veprime ligjore kundër bankave të SHBA-së për rolin e tyre në krizën e borxhit të vendit. Wall Street po tërheq vëmendjen e kontrollorëve të rregullatores financiare nga e gjithë bota, të cilët po shqyrtojnë transaksionet që kanë ndodhur vite më parë dhe kanë rezultuar me krizën financiare globale. Qeveria greke dhe qytetarët po ashtu kanë akuzuar bankat e huaja për ndezjen e fitilit të krizës së borxhit me komentet për mospagesa të mundshme të Greqisë, veprime që vështirësuan dhe rritën kostot e huamarrjes për vendin. “Unë nuk do të përjashtoja veprime ligjore. Por ne duhet të lëmë të rrjedhin ngjarjet dhe të japim gjykimin tonë sapo hetimet të mbyllen”, tha Papandreu në një intervistë në kanalin CNN. Ai nuk u shpreh më gjatë për ndonjë veprim kundër bankave amerikane. Nga ana e tij, Parlamenti grek është duke hetuar marrëveshjet që autoritetet kombëtare kanë bërë në vitin 2000 me ndihmën e “Goldman Sachs”, e cila i lejoi ata të maskonin madhësinë e borxhit të vendit nëpërmjet instrumenteve komplekse financiare. “Kam dëgjuar fjalët mashtrim dhe mungesë e transparencës, kështu që ka përgjegjësi të madhe”, tha Kryeministri grek në CNN. Ai është ankuar se bankat ndërkombëtare e kanë përflakur krizën e borxhit të Greqisë. Papandreu tha gjithashtu se një hetim parlamentar do të ekzaminojë zmadhimin e menjëhershëm të borxhit të Greqisë dhe praktikat bankare ndërkombëtare, për të vëzhguar nëse sektori financiar është i përfshirë në mashtrim. Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e aprovuan fondin prej 110 miliardë eurosh për të ndihmuar Greqinë. Përveç tij, vendet evropiane aprovuan krijimin e një pakete prej 750 miliardë eurosh për të mbrojtur monedhën e përbashkët të 16 vendeve të BE-së, përfshirë Greqinë. Lideri grek ka kërkuar rregullore më të forta për tregjet financiare, që sipas tij tani po vënë baste kundër qeverive evropiane, që kanë humbur miliarda që kur nisi kriza globale financiare në vitin 2008. Disa vende evropiane planifikojnë nxitjen për rregullore më të ashpra për mbrojtjen e fondeve, një lëvizje e kundërshtuar nga Q0everia e re e Britanisë.