E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR i dorëzon kufijtë shtetit të Kosovës

Thaçi: Po mbyllim fazën e “pavarësisë së mbikëqyrur”. Gati transferimi i kompetencave

Kosova po mbyll fazën e “pavarësisë së mbikëqyrur”, duke fituar më shumë terren në ekzekutimin e kompetencave të një shteti sovran. Ky nuk është thjesht deklarimi i Kryeministrit Hashim Taçi në një intervistë për VOA, por një fakt që del nga takimi i Thaçit me komandantin e KFOR-it për kontrollin e kufirit të Kosovës nga Forcat e Sigurisë së shtetit të ri dhe jo më nga trupat e NATO-s. Në takimin e djeshëm me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur gatishmërinë e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit për përmbylljen me sukses të procesit të transferimit të kompetencave nga KFOR-i në Policinë e Kosovës për ruajtjen e kufijve të Kosovës dhe mbrojtjen e monumenteve religjioze. Kryeministri Hashim Thaçi dhe komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, janë takuar dje dhe me këtë rast, gjendjen e sigurisë në vend e kanë vlerësuar të qetë. Në takim është biseduar për gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në vend, për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë, për përkushtimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për çështje tjera me interes. Gjatë takimit, Kryeministri Thaçi ka riafirmuar përkushtimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke potencuar se para ligjit të gjithë janë të barabartë. Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi ka vlerësuar rolin mbështetës, facilitues të EULEX-it, ICO-së dhe KFOR-it dhe është shprehur se vetëm me thellimin e këtij partneriteti, Republika e Kosovës do të arrijë t'i përmbushë kriteret për anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se procesi i pavarësisë së mbikëqyrur po përmbyllet, ndërsa institucionet e vendit do të marrin përgjegjësitë përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Thaçi tha se Kosova është e gatshme të bisedojë për marrëdhënie të reja me Serbinë, por asnjëherë për statusin dhe tërësinë tokësore të saj. “Zëri i Amerikës”, duke i rikujtuar Kryeministrit se në një fjalim drejtuar qytetarëve, ka pohuar se qeveria e tij po përballet me ndjenjën e zhgënjimit të qytetarëve dhe me një krizë besimi ndaj politikës, e pyeti për arsyet e një gjendjeje të tillë dhe si të tejkalohet ajo. Kryeministri Hashim Thaçi u përgjigj se “kemi arritur jashtëzakonisht shumë, por pritjet e qytetarëve kanë qenë edhe më të mëdha. Krejt pritje këto të drejta dhe legjitime. Kemi pasur një progres të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Jemi në fazën e rëndësishme të përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur sipas planit të Presidentit Ahtisaari. Tanimë institucionet e Kosovës janë forcuar dhe konsoliduar për t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që u takojnë, për të ushtruar ligjshmërinë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për të thelluar reformat demokratike qoftë në politikë, qoftë në legjislacion, qoftë në ekonomi. Ne kishim sukses të jashtëzakonshëm në organizimin e zgjedhjeve të lira të para në Kosovën e pavarur, ku u integruan edhe serbët dhe zgjodhën liderët e tyre. Tanimë po hapet një kapitull i ri, kapitulli i integrimit të Kosovës në NATO dhe BE. Dhe e njoh dhe e respektoj vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të ecur edhe më shpejt, gjë që është edhe qëllimi dhe vizioni im”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›