Dita ndërkombëtare: Bëj Gol, ti japin fund punës së fëmijëve
Sipas Ministrisë së Punës në Shqipëri, rreth 540 fëmijë punojnë në sektorin formal dhe 315 të tjerë janë të përfshirë në format më të këqija të punës, veçanërisht fëmijë që punojnë në rrugë, fëmijë viktima dhe në rrezik trafikimi e shfrytëzimi seksual.
Me rastin e Ditës Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, koalicioni “Së Bashku kundër Trafikimit të Fëmijëve” sot do të realizojë një aktivitet ndërgjegjësues. Ky event synon të sensibilizojë publikun, qeverinë, punëdhënësit mbi shfrytëzimin e fëmijëve për punë. Qindra fëmijë, futbollistë të njohur si Altin Lala, ministri i Punës, Spiro Ksera, zv.ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, përfaqësues nga ambasada amerikane, ambasadori holandez, do të marrin pjesë në këtë event për të tërhequr vëmendjen së bashku ndaj punës së fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre.
Fenomeni i punës së fëmijëve krijon një cikël varfërie që pengon familjet dhe kombet për të përdorur potencialin e tyre të plotë. “Sfida jonë është shkatërrimi i këtij cikli. Për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme, familjet e varfra mund të mos përballojnë kostot direkte ose indirekte që lidhen me arsimimin dhe mirërritjen e fëmijëve dhe për këtë arsye mund të zgjedhin apo detyrohen të mbështeten në kontributet e punës së fëmijëve të tyre”, thekson zyrtari i koalicionit “Së bashku kundër trafikimit”.
Aktiviteti i sotshëm organizohet me mbështetjen e ILO-IPEC, Zyra Ndërkombëtare e Punës, UNICEF, Ministria e Brendshme, Ministria e Punës, Bashkia Tiranë dhe Klubi i Futbollit Dinamo.
#