E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grup kërkimor në Studimet Europiane

Iniciativa Krijohet stafi i specialistëve për këmbimin e studimeve dhe integrimit në BE

Prezantimi i grupit të ri kërkimor, që është krijuar së fundmi në Institutin e Studimeve Europiane, ishte një nga qëllimet e takimit të djeshëm në Universitetin e Tiranës.

“Dua të lajmëroj krijimin e një grupi kërkimor pranë Institutit të Studimeve Europiane, që do të përbëhet nga pedagogë dhe kërkues të rinj, të cilët janë pjesë e stafit akademik të Universitetit të Tiranës”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Ky grup kërkimor do të ketë ndihmën dhe udhëzimet e vazhdueshme të një stafi të Universitetit të Tiranës, i cili është me më shumë eksperiencë në këtë drejtim. Kjo do të bëhet me qëllim arritjen e rezultateve sa më të mira.

Kërkuesit e rinj, të cilët kanë eksperiencë të vyer jashtë vendit tonë dhe që vijnë nga disiplina krejt të ndryshme, do t’u përgjigjen kërkesave dhe sfidave të kohës. Ata do të shërbejnë sidomos për trajtimin shumëdisiplinor të proceseve, si ai i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Jam shumë i sigurt, që nëpërmjet këtij grupi, Universiteti i Tiranës, do të japë një ndihmë të madhe dhe konkrete në integrimin e vendit tonë në BE”, tha Kule. Gjatë ceremonisë, rektori emëroi me titullin doktor Altin Veshin, i cili ka përfunduar studimet e doktoratës në Universitetin e Padovës, në Itali. Rektori e cilësoi emërimin e pedagogëve që kanë përfunduar studimet jashtë vendit dhe që kanë CV të pasur në fushat përkatëse, si çështje me rëndësi të veçantë. Ndër të tjera, në takimin e djeshëm u prezantua edhe organizata më e re e studentëve të Universitetit të Tiranës, e cila përbëhet nga të rinjtë që kanë arritur të marrin vlerësime të shkëlqyera. “Jam i kënaqur të prezantoj edhe një tjetër projekt të trupëzuar tashmë të studentëve të universitetit tonë. Ata kanë krijuar Rrjetin e Studentëve Ekselentë, ku bëjnë pjesë studentët më të mirë të të gjitha programeve që ofron universiteti ynë”, tha rektori i Tiranës. Ky grup do të ketë si qëllim përkujdesjen për rritjen e cilësisë së shërbimeve të universitetit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›