E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurthi i vëmendjes

... ato që njohim përgjysmë (!)

“është i çuditshëm kurthi që ngre shpesh vëmendja”, shkruajnë Hauard Shuman dhe Zhaklin Skot (1999). Ajo është një anë e vetëdijes, e lidhur ngushtë me perceptimet, të menduarit, motivacionin, ndjenjat, emocionet etj. Vëmendja merr shpesh përmasa sociale, pa dalë asnjëherë nga “zhguni” individual. Në të gjitha rastet vëmendja ngre “kurthin e saj”. Po cila është ajo fuqi që e nënshtron vëmendjen dhe sidomos atë sociale? Si arrin ta ngrejë vëmendja “kurthin” e saj të habitshëm dhe intrigues? Cilat janë raportet e saj, në këtë rast, me emocionet dhe motivacionin?

Ne mund të themi pa frikë se vëmendja fiton një elegancë të rrallë, bëhet fine, e organizuar, i jep ngjyrë personalitetit, ngre në nivele të jashtëzakonshme një karakter të rrëzuar etj. Prandaj dhe tiparet e një kurthi të tillë janë me përmasa individuale dhe sociale. Ta zëmë se motivi gregar e shtyn drejt mbrojtjes nga cenimi në pikëpamjen e krenarisë. Rrallëherë në raste të tilla mbizotëron heshtja ose frenimi. Lumi i fjalëve ndoshta mund të rrëkëllehet së brendshmi dhe ti e mënjanon një kurth të ngritur ndaj vëmendjes sate. Ose në raste të tjera një “objekt i jashtëm” fizik ndaj teje mund të bëhet një kurth i veçantë për vëmendjen tuaj. Por është tjetër t’i ngrenë kurth vëmendjes, që më tepër ka të bëjë me ushtrimin e saj metodik dhe origjinal, sesa me ushtrimin e brendshëm, që ajo vetë të mos dëmtohet së brendshmi.

Ti e di se fjala jote pasive ta pengon të folurin e rrjedhshëm dhe elegant. Prandaj dhe e lë ndezur (ose ajo rri vetë ndezur, pa të pyetur ty) një llambë në qarkun e të menduarit tënd. Për shembull, ti mund të përdorësh fjalën pasive “kupton” dhe kjo del vetvetiu, e shoqëron si refren hapësirën e organizuar të mendimeve që shpërfaq. Në një çast të caktuar ti e ndien se e përdore atë FJALë dhe mendimi ndërpritet. Ja kurthi që të ngriti vëmendja jote, organizimi i saj i brendshëm vetëdijësor, sikur të ishte një veprim i nënvetëdijshëm. Mirëpo, kjo nuk ndodh një herë të vetme, por disa herë. Kështu që fjalimi gojor (jo të lexuarit) kthehet mbrapa, fiton pengesa artificiale, ndalesa të kota dhe humbet ritmin, ekuilibrin, kadencën, figurshmërinë, shoqërohet me harresa të pakultivuara dhe bëhet – tek e fundit – i bezdisur dhe joaktiv.

Kurthet e vëmendjes janë të bezdisura sidomos në veprimtarinë e përditshme dhe në sjelljet e njeriut. Një pedagog mund ta prishë disa herë leksionin e tij, ndonëse nuk mund të shahet aspak për zotësi dhe aftësi të njohjes së thellë lëndore. Të tjera kurthe mund të jenë mendimet paralele, shpërndarja nga “melodizimi” i brendshëm i mendimeve të tua, harresa të çuditshme dhe krejt të parëndësishme, të kujtuarit për gjëra që nuk janë të pranishme, apatia e përditshme, të moslexuarit e vazhdueshëm, përtacia mendore, “sëmundjet” televizive dhe kompjuterike etj. Shfaqjet e tyre pengojnë një punëtor në fabrikë, një lexues në bibliotekë, një punonjës mendor, një kirurg në çaste të rëndësishme të jetës së tjetrit etj. Shembujt janë pa fund.

Kurthet e vëmendjes krijojnë situata dramatike te njeriu. Sepse ai ia njeh në heshtje të metat vetes dhe, si për ironi të fatit, ato të meta ia sjell nëpërmjet kujtesës (ose harresës) pikërisht ky kurth i vëmendjes. Në çaste delirante, ndoshta edhe për shkak të marrëzisë, ty, i dashur mik, të vjen ndërmend se mund të bësh një grevë urie, apo një manifestim publik, se mund të ngresh një hidrocentral të ri apo të ndërtosh një rrugë të re. Iku, vate ajo për të cilën ishit mbledhur e po punonit. Tanimë, mendimi yt vrapon drejt diçkaje “të re”, më interesante dhe deliri yt triumfon. Deliri shoqërohet nga një kurth fare i hollë, fin, intrigues, i vëmendjes sate.

E vëreni, po të doni, kurthin e vëmendjes suaj edhe te një bashkëbisedim gjashtë vetash në një emision televiziv (por kjo nuk do të thotë se nuk del në shesh edhe në biseda dyshe – veçse në këtë rast janë të rralla). Në bisedë marrin pjesë, fjala vjen, disa folës interesantë: Lubonja, Zogaj, Stefani, Marku, Vangjeli, Hoxha. Përfytyroni një nga bisedat e tyre me damar politik dhe do të shihni se si shfaqen konkretisht kurthet e një vëmendjeje të përqendruar në argument. Te Lubonja del KUJTESA E BEFTë për një problem që se si i erdhi në mendje. Te Vangjeli ngre krye KëMBëNGULJA rreth një fakti që, pavarësisht fjalëve që thuhen atë çast, ngre krye dhe shpërthen, por në mënyrën më të qetë të mundshme, madje shoqëruar edhe me një ironi therëse. Te Stefani ka plasur papritur një STUHI MENDORE dhe ai futet aty krejtësisht me një rrëmujë të bukur argumentuese. Te Marku i shtruar ka nxjerrë kokën një NGACMIM i mbajtur fshehur që e bën të ndihet keq, por ky e fiton menjëherë veten, sepse e kupton sfidën që i bën vëmendja. Ndërkaq, te Zogaj vjen fluturimthi një VARG, një metaforë, që pak a shumë i prish punë, sepse tashmë e ka përdorur metaforën dhe i duhet disa kohë të hyjë në hullinë e mendimit e të argumentit. Ndërsa Hoxha ndërton PARALELE INTUITIVE, pa dashjen e tij, ajo që zgjon në formën e kurthit vëmendja dhe talenti veçanërisht. Veçse Hoxha e fiton shumë shpejt veten, i merr kthesat me gaz dhe mendimin e ndërton kurdoherë në dy plane, pasi mendohet që e ka kuptuar sfidën dërrmuese të vëmendjes nëpërmjet kurtheve të saj...

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›