Gjunjëzohet Abruco,228 viktima nga tërmeti

Rëndohet edhe më tej bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi të hënën Italinë, pasi janë gjetur edhe katër trupa të tjerë të pajetë studentësh. Është të paktën 228 numri i viktimave të shkaktuara nga lëkundja e rëndë sizmike e Abrucos. Ndërkohë që të paktën 17 trupa nuk janë identifikuar ende. 50 janë të humbur, teksa një mijë persona janë të plagosur, nga të cilët 100 janë në gjendje të rëndë. Kryeministri italian Berluskoni ka deklaruar se të pastrehët janë rreth 17 mijë, dhe nga këta 10 mijë janë nga qyteti me i prekur nga tragjedia, Akuila, si dhe 7 mijë nga provinca. Ndërkaq, duket se toka nuk po i qetëson të prekurit nga tragjedia, pasi një lëkundje e re tërmeti me manjitudë 4.4 ballë të shkallës Rihter është regjistruar rreth mesditës në Akuila. Një gje e tillë ishte njoftuar edhe më herët nga ekspertë të sizmiologjisë, të cilët sqaruan se levizje tektonike do te ketë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Teksa në këtë situatë të trishtuar për popullin italian, ekipet e shpëtimit kanë vijuar punën, duke shpresuar se mund të gjenden nën rrënoja persona të tjerë që mund të jenë gjallë. Në ndihmë të skuadrave vendase të shpëtimit, kanë mbërritur edhe vullnetarë nga vende të tjera që janë solidarizuar menjëherë me këtë situatë. Epiqendra e tërmetit që u regjistrua në orën 3:32 te mengjesit të së hënës, që shkatërroi Abrucon, duke provokuar dëme te mëdha materiale. Tërmeti, përvec banesave shkatërroi edhe shumë godina historike, kisha, rrugë etj. Epiqendra e tërmetit u regjistrua në një distancë rreth 100 km në lindje të Romës, në rajonin e Abrucos. Skuadrat e shpëtimit po përdorin buldozerë të fuqishëm për të zhvendosur materialet inerte në mënyrë që të spatrojnë zonën dhe të gjejnë ndonjë të mbijetuar. Autoritetet lokale kanë ngritur mijëra tenda për të strehuar banorët, kanë mundësuar për ta vakte ushqimi, kanë dërguar ndihma materiale e medikamente. Kryeministri Silvio Berluskoni deklaroi të hënën gjendjen e jashtëzakonshme dhe udhëtoi drejt zonës së fatkeqësisë, pasi anulloi një udhëtim për në Moskë. Më pas ai tha se qeveria e tij ka ofruar 30 milionë euro ose 40 milionë dollarë, teksa priten edhe ndihma të konsiderueshme ndërkombëtare.