Rexhepi:Testi i parë i EULEX-it, rindërtimi i veriut të Kosovës

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi ka thënë se çështja e rindërtimit të veriut të Kosovës, ku strukturat paralele serbe kanë paralajmëruar probleme për të penguar këtë proces, do të jetë testi i parë për EULEX-in. Rexhepi e bëri këtë deklaratë të martën, pas një takimi që ka zhvilluar me një delegacion të Komisionit për Siguri të Parlamentit Europian. Rexhepi sqaroi se ka bashkëpunim të mirë me strukturat e sigurisë, gjë që shërben për parandalimin e problemeve dhe që rindërtimi të shkojë pa telashe. Në këtë drejtim ai përmendi mundësinë e krijimit të një tampon zone ndërmjet komuniteteve në mënyrë që të procesi i rindërtimit të mos pengohet. "Ne jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për fillimin e rindërtimit, pasi banorët e zhvendosur janë duke jetuar në gjendje të rëndë nëpër vendstrehime kolektive dhe në kushte të rënda. Ne e kemi për detyrë që të krijojmë kushte më të mira për jetesën e të gjithë qytetarëve pa dallim etnik", tha Rexhepi. Gjatë takimit, Rexhepi i njoftoi të pranishmit e delegacionit të Parlamentit Europian, që shoqëroheshin edhe nga drejtuesi i komponentës së policisë së EULEX-it në Kosovë, Rainer Kuhn, se në përgjithësi gjendja e sigurisë është e qetë, por e ndjeshme për shkak të provokimeve të vazhdueshme të strukturave paralele serbe në veri. Ndërsa përsa i përket shtrirjes së EULEX-it dhe funksionalizimit të këtij misioni në gjithë vendin duke përfshirë edhe veriun, Rexhepi, shprehu besimin se gradualisht do të vërehen efektet dhe gjendja do të normalizohet. Ai përmendi si sfidë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, për të cilën nevojitet një vendosmëri më e madhe e misionit europian. Në këtë kontekst Bajram Rexhepi preku problemet me gjykatat dhe doganat.