E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetër tërmet në Abruco,numri i viktimave arrin në 228

Një tjetër lëkundje sizmike e regjistruar në orën 19 e 42 minuta të së martës që ka zgjatur 20 sekonda ka rënduar më tej bilancin e viktimave në Itali. Numri i viktimave të shkaktuara nga lëkundja e rëndë sizmike e Abrucos ka shkuar në të paktën 228. Ndërkohë që të paktën 17 trupa nuk janë identifikuar ende. 50 rezultojnë të humbur, teksa një 1 500 persona janë të plagosur, nga të cilët 100 janë në gjendje të rëndë. Kryeministri italian Berluskoni ka deklaruar se të pastrehët janë rreth 17 mijë, dhe nga këta 10 mijë janë nga qyteti me i prekur nga tragjedia, Akuila, si dhe 7 mijë nga provinca. Lëkundje të tjera periodike janë parashikuar nga ekspertë të sizmiologjisë, të cilët sqarojnë se levizje tektonike do te ketë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Teksa në këtë situatë të trishtuar për popullin italian, ekipet e shpëtimit kanë vijuar punën, duke shpresuar se mund të gjenden nën rrënoja persona të tjerë që mund të jenë gjallë. Në ndihmë të skuadrave vendase të shpëtimit, kanë mbërritur edhe vullnetarë nga vende të tjera që janë solidarizuar menjëherë me këtë situatë. Banorë të shumtë të rajonit enden rrugëve apo nëpër kampet e ngritura posaçërisht për këtë punë. Ata kanë humbur shtëpitë, disa të afërmit, ndërsa disa të tjerë akoma vuajnë pasojat e lëndimeve nga tragjedia e rëndë që ka përfshirë vendin.
Ndërkohë, histori shprese kryqëzohen me atë të dhimbjes. Në provincën e Temperas është gjetur e gjallë një plakë 98 vjeçare, pas 30 orësh nën gërmadha. E moshuara që ishte bllokuar në hekurat e krevatit të saj është ndihmuar nga forcat e shpëtimit. Kur pyetet nga gazetarët se çfarë ka bërë gjatë atyre orëve të tmerrit, ajo Përgjigjet: "Kam punuar, kam gërmuar pak nga pak gjatë gjithë kohës". Gjetja e 98 vjeçares është parë si një simbol shprese për personat që kërkojnë të afërmit e tyre. Po ashtu nën rrënoja është gjendur edhe një vajzë 20-vjeçare.
Ndërsa një grua shqiptare, emigrante në zonën e tërmetit shprehet duke lotuar se kanë humbur gjithçka dhe se ajo e familja e saj ndodhen në qiell të hapur. Tërmeti, përveç banesave shkatërroi edhe shumë godina historike, kisha, rrugë etj. Epiqendra e tërmetit u regjistrua në një distancë rreth 100 km në lindje të Romës, në rajonin e Abrucos. Skuadrat e shpëtimit po përdorin buldozerë të fuqishëm për të zhvendosur materialet inerte në mënyrë që të spastrojnë zonën dhe të gjejnë ndonjë të mbijetuar. Autoritetet lokale kanë ngritur mijëra tenda për të strehuar banorët, kanë mundësuar për ta vakte ushqimi, kanë dërguar ndihma materiale e medikamente. Kryeministri Silvio Berluskoni deklaroi të hënën gjendjen e jashtëzakonshme dhe udhëtoi drejt zonës së fatkeqësisë, pasi anuloi një udhëtim për në Moskë. Më pas ai tha se qeveria e tij ka ofruar 30 milionë euro ose 40 milionë dollarë, teksa priten edhe ndihma të konsiderueshme ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›