E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjurmët në makinën me 212 kg drogë, në gjyq tre trafikantët me Greqinë

 

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatë dosjen penale në ngarkim të tre personave të akuzuar për trafikimin nga Gjirokastra në Greqi të 212 kilogramëve kanabis sativa. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se të pandehurit e dosjes janë Vladimir Tasuni dhe Edmond Çaçi nga Gjirokastra dhe Hajri Buçi nga Durrësi, akuzuar në bashkëpunim se kanë kryer veprën penale "trafikim i narkotikëve". "Të pandehurit akuzohen se janë implikuar në ngjarjen e ndodhur më 16 dhjetor 2006 rreth orës 18:00, në aksin rrugor Libohovë-Suhë të Gjirokastrës. Në këtë kohë, në automjetin tip "Opel Fuoristrada" me targa GJ 9014 A, të braktisur në një parcelë jashtë rrugës automobilistike, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 212 kg lëndë narkotike e llojit hashash, e paketuar në 122 pako të mbështjella me natriban dhe të futura në 4 çanta dhe në disa thasë plastmasi", tha Prokuroria. Sipas saj, gjurmët e gjetura në pasqyrën e makinës së braktisur dhe një paketë cigaresh e lënë në automjet, kanë treguar se Edmond Çaçi ka rënë dakord me të pandehurin tjetër Vladimir Tusuni që me makinë, të transportonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga fshati Bulo për në kufi me shtetin grek, në fshatin Çatistër. Mësohet se ditën e bllokimit të drogës, në makinën me drogë kanë qenë dy nga të pandehurit, të cilët pasi kanë vënë re se policia ishte vënë në ndjekje të tyre, e kanë braktisur makinën në anë të rrugës, duke lajmëruar përmes telefonit të pandehurin e tretë të dosjes se kishin braktisur ngarkesën narkotike dhe po iknin në dy drejtime të ndryshme. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›