Vdes nga zjarri në kabinë ish-polici,roja i fabrikës së këpucëve në Tiranë
TIRANE- Zjarri djeg në kabinë ish-policin e dalë në reformë, i cili punonte si roje e fabrikës së këpucëve "Filanto" në kryeqytet. Zenel Hoxha, 52 vjeç, ish-polic i Komisariatit nr. 3, aktualisht punonjës i sigurisë në fabrikën e prodhimit të këpucëve "Filanto", ka mbetur i asfiksuar dhe i djegur në kabinën e tij, në ambientet e brendshme të oborrit të fabrikës. Shkak i ngjarjes, sipas policisë, mësohet se ka qenë djegia nga furnela elektrike me të cilën ish-polici aktualisht i dalë në reformë, duhej të ngrohej gjatë orëve të ftohta të natës kur qëndronte në shërbim. Ndërkaq mëngjesin e djeshëm, sipas burimeve të policisë, një rrobë e 52-vjeçarit që dremiste ka rënë në rezistencën e korrentit të furnelës, që ka shkaktuar tymin dhe zjarrin. Flakët kanë përfshirë të gjithë kabinën, duke shkaktuar flakë në ambientet e brendshme të oborrit të fabrikës. Zjarri i shkaktuar dhe tymi i krijuar kanë asfiksuar dhe më pas djegur pjesërisht ish-efektivin e policisë së kryeqytetit, i dalë në reformë që prej gati një viti. Disa persona në fabrikë sapo kanë parë tymin janë drejtuar për te kabina e rojës, ku qëndronte viktima për të marrë vesh çfarë po ndodhte. Më pas ata janë përpjekur për të ndihmuar viktimën, por nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, edhe pse janë munduar të heqin trupin nga zjarri. Policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes me urgjencë dhe më pas kanë shuar flakët. Megjithëse zjarri është shuar me shpejtësi, Zenel Hoxha nuk ka mundur të mbijetojë për shkak se plagët e marra kanë qenë të rënda. Më parë ai ka qenë asfiksuar tërësisht nga tymi i shkaktuar brenda kabinës së rojës ku ai qëndronte gjatë natës. Pas shuarjes së zjarrit, policia ka nisur hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe rrethanave të saj. Nga këqyrja paraprake e kryer nga ekspertët e policisë dhe mjekët ligjorë, është konfirmuar se Hoxha, baba i tre fëmijëve, kishte humbur jetën për shkak të asfiksisë së shkaktuar nga tymi në kabinë, e cila ishte tepër e vogël. Viktima duket se ka qenë i detyruar të ngrohet me korrent për shkak se ambienti ku ai qëndronte kishte fare pak mundësi për t'u mbrojtur nga i ftohti i orëve të natës. d.b