E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon vrasësin e policit

Andi Gurabardhi ka kërkuar që të rigjykohet pasi dënimin e ka marrë në mungesë.


Gjykata nuk pranon pretendimet

I dënuari ka vrarë një grup në vitin 1997 dhe policin që po e arrestonte në vitin 2003


TIRANË- Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë rigjykimin e dosjes së vrasjes së policit Florenc Balla nga i dënuari me burgim të përjetshëm, Andi Gurabardhi. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë togave të zeza, të cilët konfirmuan se nuk është pranuar rekursi i të dënuarit me burgim të përjetshëm Gurabardhi, edhe pse ai është dënuar në mungesë.


"Gjykata e Lartë, pas shqyrtimit të kërkesës për rekurs nga avokati mbrojtës dhe vetë i dënuari Gurabardhi, vendosi të mos pranojë rekursin, duke lënë përfundimisht në fuqi vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm ndaj 36-vjeçarit për vrasjen e policit Florenc Balla në vitin 2003 dhe vrasjen nga pakujdesia të shtetases Gurie Kllogjeri në vitin 1997",- thuhet në vendimin e mos pranimit.


Sipas Gjykatës së Lartë edhe pse shtetasi Gurabardhi është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, ndaj tij është kryer një procedurë e rregullt dhe e drejtë ligjore si në fazën hetimore ashtu edhe në atë gjyqësore.


Ndërkohë, ka qenë muaji shkurt i 2005 kur shtetasi i dënuar në mungesë, Gurabardhi është arrestuar nga forcat speciale të RENEA-së pas negociatave disa orësh me të për dorëzim. Sipas vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në Durrës, 36- vjeçari Gurabardhi në shtator të vitit 1997 njihet si precedent penal.


Pasi në atë kohë 36- vjeçari ishte i fejuar me një vajzë nga fshati Holtas të rrethit të Gramshit ku dhe kishte shkuar për vizitë. Në orët e mbrëmjes nga banesa e fqinjit të fejuarës, Gurabardhi qëllon me armë në drejtim të një blloku qershive që ndodhej aty pranë. Në atë kohë, aty po kalonin dy vëllezërit Kllogjeri me një grua, e cila sapo kishte dalë nga Spitali i lindjes.


Gruaja, Gurie Kllogjeri ndodhej mbi mushkë së bashku me fëmijën, duke ikur për në banesën e tyre ku e ka përshkruar një plumb që i ka sjellë vdekjen. Për këtë vrasje nga pakujdesia Gurabardhi u dënua me gjashtë vjet burg në mungesë.


Që nga kjo kohë 36- vjeçari ndodhej në listën e të kërkuarve. Në qershor të 2003, policia rrethon banesën e tij në fshatin Bathës të Elbasanit pasi kishte marrë informacion në rrugë operative se ai fshihej në banesë.


Katër efektivë të policisë së Elbasanit bashkë me inspektorin e zonës nisen për banesën e Gurabardhit duke e kontrolluar atë, por, ai ishte fshehur 200 metra më tutje në një kasolle lopësh.


Policia pasi i kontrolluan banesën nisen drejt kasolles nga ku del me vrap i shumëkërkuari me automatik në dorë duke ikur. Pas tij lëshohen dy agjentët e policisë duke i kërkuar të ndalonte, por Gurabardhi kthehet nga efektivët blu dhe qëllon në drejtim të oficerit Florenc Balla duke e lënë të vdekur dhe më pas largohet në drejtim të malit. Për këtë vrasje, në janar të vitit 2004 Gurabardhi dënohet përfundimisht me burgim të përjetshëm dhe emri i tij ishte renditur ndër të më të kërkuarit.


Dy vjet pas ngjarjes, konkretisht më 18 shkurt 2005, Gurabardhi zbret nga mali ku strehohej në banesë, për të festuar ditëlindjen e djalit të tij njëvjeçar.


Policia në rrugë operative siguron këtë informacion dhe niset në drejtim të banesës së tij në fshatin Bathës, komuna Shirgjan, Elbasan. Dy nga efektivët e policisë hynë brenda në banesë, ku me një granatë në dorë dhe automatikun në dorën tjetër Gurabardhi i neutralizon dy policët duke i marrë peng.


Pas disa orësh negociata, ai pranon të shkëmbejë dy policët peng me bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët.


Që nga ora 13:00 e datës 18 shkurt 2005 deri në orën 3:00 pas mesnatës të datës 19 shkurt, Gurabardhi mbajti peng familjen e tij duke kërcënuar se do t'i vriste, por, pas negociatave të vazhdueshme mes forcave të RENEA-së dhe vetë Gurbardhit ky i fundit dorëzohet.


Pas arrestimit avokati i tij mbrojtës i është drejtuar Gjykatës së Lartë për ta rihapur çështjen e vrasjes së policit Florenc Balla, por, kjo gjykatë vendosi të mos pranojë kërkesën.


Shtator 1997
Në fshatin Holtas të rrethit të Gramsh, Andi Gurabardhi qëllon me armë automatike shtetasen Gurie Kllogjeri e cila vdes

Qershor 1998
Gjykata e Elbasanit e shpall fajtor Andi Gurabardhin për akuzën e "vrasjes nga pakujdesia" dhe e dënon 6 vjet burg, duke e shpallur në kërkim

Qershor 2003
Në fshatin Bathës, në rrethin e Elbasanit, gjatë operacionit për arrestimin e të kërkuarit Andi Gurabardhi vritet nga ky i fundit polici Florenc Balla

Dhjetor 2003
Gjykata së Shkallës së Parë të Elbasanit, e deklaron fajtor Andi Gurabardhin për vrasjen e policit Florenc Balla dhe e dënon me burgim të përjetshëm

Janar 2004
Gjykata e Apelit në Durrës lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të dënimit me burgim të përjetshëm të Andi Gurabardhit

Shkurt 2005
Pas disa orëve negociata arrestohet në banesën e tij në fshatin Bathës të komunës Shirgjan, Elbasan, Andi Gurabardhi nga forcat speciale të RENEA-së

Korrik 2009
Gjykata Lartë nuk pranon rekursin e Andi Gurabardhit për rigjykimin e dosjes së tij për vrasjen e policit Florenc Balla dhe shtetases Gurie Kllogjeri

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›