E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbyll sot negociatat me aleatët

Kryeministri Berisha do të firmosë sot me Mediun paktin me PR-në. Kryesia e PDI-së kërkon sot takim me Berishën. Ndërsa PBDNJ-ja vendos sot mbi ftesën e kreut të ekzekutivit


TIRANË- Kryeministri Sali Berisha pritet ti japë fund sot negociatave me partitë aleate lidhur me qeverinë e re.


Të parët që do të nënshkruajnë marrëveshjen do të jenë republikanet. Edhe pse PR-ja shkon e përçarë në negociata, Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu do të firmosë sot marrëveshjen me kryeministrin Berisha për ti siguruar atij një tjetër mandat qeverisës, kësaj here në postin e Ministrisë së Mjedisit. Sipas vendimit të kryesisë, PR-ja ka pranuar propozimin e kreut të ekzekutivit për drejtimin e Ministrisë së Mjedisit si dhe përfaqësimin me dy zv-ministra në kabinetin e ri qeveritar.


Pika e dytë e marrëveshjes, që do të firmoset sot, konsiston në përfaqësimin proporcional të PR-së në të gjitha nivelet e qeverisjes vendore dhe qendrore sipas kontributit të saj politik. Një pikë tjetër që jo pa qëllim është veçuar nga kryesia e PR-së është edhe rënia dakord për përfaqësimin në qeveri me kryetarin e kësaj partie, Fatmir Mediu.


Një tjetër parti, që mund të firmosë sot marrëveshjen është edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim e çamëve. Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, deklaroi dje se ata do të negociojnë sot me Berishën edhe pse prej ditësh, kjo forcë politike ka pritur një përgjigje zyrtare nga kreu i ekzekutivit, mbi rolin që PDI-ja do të ketë në qeverisjen e ardhshme.


Pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, kryetari i saj, Tahir Muhedini, është shprehur se përfaqësimi i tyre në qeveri do të jetë një sukses, pasi qëllimi i PDI-së, në koalicion me Berishën është zgjidhja e çështjes çame, me të cilën, sipas tij, deri më tani është abuzuar shumë. Ai premton sensibilizim ndërkombëtar për ti dhënë zgjidhje këtij problemi ndaj dhe për këtë arsye, sipas tij, është e domosdoshme që përfaqësuesi i PDI-së të jetë në qeveri."Dje zhvilluam mbledhjen e kryesisë së partisë.


Në mbledhje u shprehëm se jemi të shqetësuar që po mbarojnë negociatat dhe partia e çamëve s'ka marrë asnjë propozim. Ne presim, dhe momentalisht jemi në pritje për të marrë pjesë në negociata për të marrë në qeveri rolin tonë përfaqësues"- tha Muhedini.


Përpos pretendimit të kësaj partie, kryeministri Berisha ka vendosur që t'i rezervojë kësaj partie vetëm një post zv-ministri. Edhe pse PDI-ja përfaqësohet me një deputet, ashtu si edhe PR-ja, Berisha nuk do të ndjekë të njëjtën rrugë, duke parapëlqyer që brenda kësaj partie të sjellë përçarjen dhe për pasojë edhe zbehjen e pretendimeve të kësaj partie. Po sot, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule do të japë një përgjigje përfundimtare për përfshirjen ose jo në qeverinë e Berishës.


Prej ditësh, ai ka paralajmëruar një konference për shtyp, ndërkohe që bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Leonard Solis, është shprehur se PBDNJ-ja po shqyrton ftesën e kryeministrit.


Në rast se një gjë e tillë ndodh, atëherë Berisha është i gatshëm që t'i ofrojë sërish kësaj partie, postin e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, duke siguruar në të njëjtën kohë edhe një mandat më shumë në favor të mazhorancës.


ërpos vendimit të grupit parlamentar të PS-së për të mos marrë pjesë në punimet e sotme, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pritet që të jetë i pranishëm në punimet e sotme parlamentare, duke treguar në të njëjtën kohë që situatat politike kanë ndryshuar, që prej deklaratës së tij të fundit se nuk do të bashkëpunonte me Berishën.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›